Shkup, 4 qershor – Ardian Nuhiu dhe Shkëndija e Tetovës pas bisedave të gjata që kanë pasur, palët kanë arritur në marrëveshje dhe shumë shpejt pritet që të bëhet edhe zyrtarizimi i tij.
Nuhiu me Shkëndijën do të nënshkruaj për dy vitet e ardhshme, ku dhe do të kërkojnë që titullin kampion ta rikthejnë në Tetovë.
Kuqezinjtë nga Tetova ishin në bisedime edhe me Orges Shehin por rinovimi me Tiranën i ka prishur planet dhe tashmë janë rikthyer te pista e parë. Nuhiu ishte një dëshirë e Vllaznisë së Shkodrës por kërkesa e tij ishte e lartë dhe shkodranët vendosën për Martinin, teksa Shkëndija duket se mbeti destinacioni i radhës.
Nuhiu e njeh mirë kampionatin vendor sepse në të kaluarën ka drejtuar edhe Shkupin, ndërkohë që së fundmi ishte trajner në Kosovë për Dritën e Gjilanit për më shumë se tre vite, duke fituar edhe titullin kampion në Superligën e Kosovës në sezonin 2019-2020.