Bujar KURTAJ
Shkup, 19 prill – Të mërkurën zhvillohen ndeshjet kthyese gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë në futboll. Derbi pa dyshim se do të zhvillohet në Tetovë, ku Shkëndija do të pret rivalin e saj Vardarin. Kuqezinjtë nga Tetova do të tentojnë të rruajnë epërsinë nga ndeshja e parë, pasi në Shkup në ndeshjen e parë, Shkëndija e ka mundur Vardarin me rezultat 3:1.
Fitorja ndaj Pelisterit në kuadër të javës së 27, erdhi në moment të duhur për të ngritur atmosferën para duelit me Vardarin, duke marr parasysh se lufta për titull pothuajse është e humbur pasi epërsia mes tyre dhe Vardarit është plot 11 pikë. Andaj e gjithë vëmendja është përqendruar te trofeu i Kupës së Maqedonisë, të cilën deri më tani e kanë fituar një herë. Pavarësisht rezultatit nga ndeshja e parë, të gjithë futbollistët thonë se duhet të japin më shumë se 100 përqindëshin që kanë, për të siguruar vizën për në finale. Derisa, nuk do të mungojë edhe mbështetja për djemtë e trajnerit Tomas Brdariç, pasi grupi i tifozëve “Ballistët” paralajmërojnë një organizim të mirë enkas për këtë ndeshje.
Ndërkohë, kapiteni dhe futbollisti më i mirë i Shkëndijës, Ferhan Hasani thotë se ai dhe shokët e tij janë të vetëdijshëm se kanë epërsi solide nga ndeshja e parë, mirëpo në lojë do të hynë sikur te ketë filluar ndeshja prejfillimit. “Na pret ndeshje e rëndësishme si krejt ndeshjet tjera, me atë që duke ditur çka na sjell ky takim fiton më shumë në rëndësi. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi epërsi solide nga ndeshja e parë, mirëpo do të hyjmë në lojë sikur të nisë gjithçka prej fillimit dhe do të kërkojmë të japim më të mirën për marrë rezultatin e dëshiruar. Shpresoj të jemi në nivel, presim mbështetje të madhe nga publiku ynë, ndërsa besoj të dalim me rezultat pozitiv dhe në fund t’i gëzohemi kualifikimit në finalen e Kupës”, deklaroi për gazetën KOHA, Hasani.
Ndërkaq, takimi tjetër do të zhvillohet ndërmjet Pelisterit dhe Bregallnicës. Takimi i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me rezultat të barabartë 2:2, ndërsa sot do të mësohet se cila skuadër do të prek finalen. Ndërkohë, dy përballjet Shkëndija – Vardari dhe Pelisteri – Bregallnica, zhvillohen sot (e mërkurë) me fillim në ora 16.
Dyshet:
Pelisteri – Bregallnica (2:2)
Shkëndija – Vardari (3:1)