Sipas të dhënave të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA (CDC), çdo vit 2 milionë amerikanë përjetojnë lëndime traumatike të trurit, kurse 52 mijë persona humbin jetën për arsye të shkaktuara nga këto lëndime
Shkencëtarët arritën që për herë të parë ta largojnë plotësisht amnezinë e shkaktuar nga lëndimet traumatike të trurit tek minjtë. Në kuadër të hulumtimit, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën “The Proceedings of the National Academy of Sciences”, shkencëtarët nga Universiteti San Francisco të Kalifornisë zbuluan se ilaçi i quajtur ISRIB, i cili ishte zbuluar në vitin 2015, shëron aftësitë e të mësuarit dhe të kujtuarit te minjtë.
Hulumtuesit gjetën se ilaçi ka efekt në dëmtimet e lokalizuara të trurit dhe në shërimin e efekteve të tronditjes së trurit, të cilat ndikojnë në tërë trurin. Dëmtimet e lokalizuara të trurit shkaktojnë probleme në kujtesën hapësinore e cila përdoret gjatë jetës së përditshme, kurse tronditja në tru shkakton dëme në kujtesën e punës, e cila është e rëndësishme në mendime dhe arsyetime.
Një nga shkencëtaret Susannah Rosi, të cilët zbuluan se ilaçi ka efekt edhe 1 muaj pas formimit të lëndimit, thotë se kafshët të cilët kanë lëndime të tilla në tru, zakonisht nuk mund t’i përdorin aftësitë e të mësuarit ashtu siç kanë bërë më parë.
“Kur ne japim ilaçin e quajtur ISRIB edhe pas 4 javësh të formimit të lëndimit, minjtë formuan aftësinë e krijimit të një kujtese të re. Kjo nuk ka qenë e mundur më parë”, thotë Rosi. Kurse zbuluesi i ilaçit Peter Walte thotë se “Ne besojmë se ISRIB ka zbuluar një pjesë e cila riparon qarqet e dëmtuara të trurit“.
Rosi dhe Walter bënë të ditur se para përdorimit të ISRIB-it tek njerëzit me dëmtime në tru, do të vazhdojnë hulumtimet me minjtë.
Sipas të dhënave të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA (CDC), çdo vit 2 milionë amerikanë përjetojnë lëndime traumatike të trurit, kurse 52 mijë persona humbin jetën për arsye të shkaktuara nga këto lëndime. Lëndimet e trurit janë një nga arsyet kryesore të sëmundjes Alzheimer dhe të humbjes së kujtesës së lidhur me moshën.