Shkencëtarët drejt çrrënjosjes së malaries

Bota mund të jetë e lirë nga malaria – një nga sëmundjet më të vjetra dhe më vdekjeprurëse që ka prekur njerëzimin – brenda një brezi, thotë një raport i madh i publikuar së fundmi. Çdo vit ka ende më shumë se 200 milionë raste të sëmundjes, e cila më së shumti vret fëmijë e vegjël.

Raporti thotë se zhdukja e malaries nuk është më një ëndërr e largët, por fshirja e parazitit do të ketë nevojë për një financim vjetor prej dy miliardë dollarësh. Ekspertët thonë se zhdukja është një “qëllim i përmasave epike”.

Por, çfarë është malaria? Malarja është një sëmundje e shkaktuar nga parazitët Plasmodium. Këto përhapen nga një person në tjetrin nga kafshimi i mushkonjave femra në kërkim të një vakti gjaku. Pasi infektohen, njerëzit sëmuren me ethe të forta dhe të dridhura.