Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 mars – Shkencat shoqërore dhe humanitare mbajnë peshën më të madhe sa i përket kontributit në sferën e kërkimeve shkencore, rrjedhimisht edhe të numrit të institucioneve përkatëse. Mirëpo, nuk mund të thuhet kjo e parë në kontekstin e pjesëmarrjes së institucioneve sipas karakterit jashtë sistemit të arsimit të lartë, shkruan gazeta KOHA. Konkretisht, nga 116 organizime kërkimore, 75 prej tyre janë në varësi të universiteteve apo fakulteteve të caktuara. Këtu dominojnë shkencat shoqërore dhe humanitare me 24, respektivisht 12 institute apo bashkërisht me 48 për qind pjesëmarrje në këtë kategori. Institutet tjera janë nga shkencat natyrore (5), inxhinierisë dhe teknologjisë (13), shkencave mjekësore (14) dhe bujqësore (7).
Në institutet që kanë statusin e organizatave qeveritare dhe afariste apo jo fitimprurëse, pjesëmarrja e shkencave shoqërore dhe humanitare (në themelimin e organizatave me karakter kërkimor shkencorë) është dukshëm më i vogël, posaçërisht te dy të parat.
Nëse në institutet kërkimore të kategorisë afariste kemi gjithsej 31 të tilla, vetëm 6 janë me tiparin shoqëror dhe asnjë humanitar, ndërsa 19, 5 dhe 1 janë institute apo organizata me tiparin e shkencave të inxhinierisë dhe teknologjisë, shkencave natyrore dhe shkencave mjekësore. E njëjta tablo paraqitet te institutet me status qeveritar. Nga 7 të tilla, vetëm 1 është me profilin shkencor shoqëror. Të tjerat janë ndarë në mënyrë të barabartë, pra me nga dy organizata apo institute kërkimore për shkencat natyrore, mjekësore dhe humanitare. E, kur jemi te institutet me karakter jofitimprurës – ndodh e kundërta. Të gjitha, pa përjashtim janë të shkencave shoqërore, ose nga tre gjithsej me statusin institucionit jofitimprurës e që të tirja janë me profil të shkencave shoqërore.
Megjithatë, këto kanë numrin më të vogël të të punësuarve e që mesatarisht është diçka më i lartë se shtatë punonjës shkencor, pasi në 3 institutet kërkimore me status jo fitimprurës, Enti Shtetëror i Statistikave në vitin 2015 ka evidentuar vetëm 22 të punësuar gjithsej. Kampion në këtë pikë, respektivisht me numrin më të madh të punonjësve shkencor janë institutet apo organizatat kërkimore me status qeveritar. Respektivisht, në 7 institucione të këtilla janë të punësuar 2624 punonjës e që në mesatare i bie që në secilën prej tyre të punojnë rreth 375 veta.
Institutet që janë në varësi të Qeverisë kanë më tepër të punësuar edhe sesa institutet me status afarist, të cilat mesatarisht kanë diçka më tepër se 168 të punësuar, apo institutet me statusin e institucioneve të sistemit të arsimit të lartë, të cilat kanë mesatarisht nga 43 apo 44 të punësuar.
E përbashkëta e të gjitha instituteve apo organizatave kërkimore shkencore është se krahas të punësuarve me marrëdhënie të rregullt të punës, kanë edhe të punësuar me kontrata me afat të caktuar, si dhe të angazhuar me honorar. Sipas të dhënave të ESHS-së për gjendjen e institucioneve kërkimore-shkencore në Maqedoni, në vitin 2016, në total në të gjitha 116 institutet dhe organizatat kërkimore shkencore, kishte 11.140 të punësuar, prej të cilëve 3223 punonjës me marrëdhënie të rregullt punë (kontrata pa afat të caktuar kohor) dhe 1063 bashkëpunëtorë të jashtëm shkencor, të angazhuar ose me kontrata me afat të caktuar pune ose me honorar. (koha.mk)