Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 dhjetor – Siç edhe është konfirmuar zyrtarisht – mjetet financiare të cilat do të ndahen nga buxheti i vitit 2018 për kërkime shkencore do të jenë jo më shumë se 2 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Arsimit dhe Shkencës, shkruan gazeta KOHA. Në propozim-buxhetin, i cili është në fazën e miratimit në Parlament, për shkencën janë planifikuar rreth 7.366.000 euro (425.998.000 denarë) edhe atë vetëm 5.203.220 euro (319.998.000 denarë) nga buxheti bazë. Ndërkaq, 1.577.235 euro (97.000.000 denarë) janë planifikime nga të ardhura të siguruara nga aktivitete të vetëfinancimit, kurse 146.341 euro (9.000.000 denarë) janë pjesë e planifikimeve të buxhetit nga donacionet. Në total, buxheti i vitit të ardhshëm për arsim dhe shkencë, sikurse është bërë e ditur, kap vlerën e 406.555.211 eurove, respektivisht 25.002.838.000 denarëve. “Për shkencën dhe institutet shkencore janë planifikuar 2 për qind e buxhetit”, ka pohuar ditë më parë ministria Renata Deskovska. Sipas informacioneve që ka dhënë ministria, më pak se sa shkenca do të kenë vetëm shërbimet administrative (1.8 për qind) dhe financimi i projekteve (1 për qind).
Në fakt, ajo që bie në sy sa u përket investimeve të pakta që bëhen për shkencën në Maqedoni, 5.203.220 euro (nga buxheti bazë) është niveli i ulët edhe i atyre mjeteve vizavijë kërkimit shkencor. Pjesën më të madhe të këtyre mjeteve – 2.845.495 euro e harxhojnë institutet shkencore (për rroga, mirëmbajte dhe shpenzime të ngjashme). Një sasi tjetër e konsiderueshme e këtij buxheti mbi 813.000 euro (50.000.000 denarë) janë për përkthimin e librave, ndërsa për kërkimet shkencore janë planifikuar 1.544.715 euro (95.000.000 denarë). E parë më përqindje, i bie që për kërkimet shkencore të mos ndahen as 30 për qind e buxhetit të planifikuar komplet për shkencën dhe kjo padyshim që vë këtë të fundit në pozitë inferiore, ndërsa vetë kërkimi shkencor në margjinat e buxhetit. Pavarësisht rritjes së përgjithshme që ka pësuar buxheti i MASH-it për vitin 2018 dhe që sipas ministres Deskovska është për 5 për qind më i lartë se buxheti i njëjtë i vitit 2017, investimet në shkencë mbeten në nivele të ulëta. Ky nuk është viti i parë që shkenca mbetet në këtë stad, pasi edhe vitin e kaluar ishte e njëjta histori. Nga 2016-ta deri tani, MASH kishte rritur gjithashtu për rreth 8 për qind buxhetin e investimeve dhe shpenzimeve për të gjitha nivelet dhe aktivitete që kanë të bëjnë me sferën e arsimit. Pra, nga mbi 383 milionë euro sa ishte në 2016-ën buxheti në fjalë, në 2017-ën ky buxhet ka shkuar në mbi 414 milionë euro, pra ka shënuar një rritje prej 7.8 për qind. Por pavarësisht kësaj, hulumtimi dhe kërkimi shkencor pësuan rënie. Për më tepër, shkenca ishte i vetmi aktivitet i MASH-it që kishte pësuar rënie në vitin 2017, çdoherë e krahasuar me një vit para saj. Nëse në 2016-ën, MASH kishte planifikuar 8.855.000 euro (546.325.000 denarë) me buxhetin e 2017-ën për të njëjtin qëllim janë ndarë 8.352.000 euro (513.662.000 denarë). Pra ka një rënie prej minus 6 për qind. Vetëm me hulumtimin dhe kërkimin shkencor, MASH po tregohet dorështrënguar sa i përket planifikimit të shpenzimeve me buxhetin përkatës. Këtë vit, propozohet që buxheti i MASH-it për 2018-ën të jetë 25.002.838.000 denarë, respektivisht 406.555.211 euro dhe që paraqet buxhet 5 për qind më të lartë se ai i vitit 2017. Rritje më të mëdha janë shënuar në shpenzimet e planifikuara për bllok-dotacionet në arsim fillor dhe të mesëm, pasi nga viti tjetër do të ketë rritje rrogash prej 5 për qind për të gjithë të punësuarit në shkollat e këtyre dy niveleve. (koha.mk)