Evis HALILI
Shkup, 23 shkurt – Surprizat e edicionit të sivjetshëm të Festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrit”, do të jenë emra të njohur të skenës shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Violinisti i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, sopranoja Inva Mula dhe tenori Saimir Pirgu, janë tre emrat për të cilët organizatorët janë dakorduar që të marrin pjesë. Shkëlzen Doli, tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe deri në fund të këtij muaji do të duhet që të fiksojë datën e performancës dhe detaje të tjera me drejtuesit e festivalit. Ndërsa për Pirgun dhe Mulën, ende nuk dihet. Iniciativa për natën shqiptare në Festivalin “Vera e Ohrit” është bërë nga anëtari i Komisionit të muzikës në Ministrinë e Kulturës, Rami Mustafa. Festivali “Vera e Ohrit” zgjat 40 ditë dhe zhvillohet gjatë muajve korrik – gusht. Programi i këtij edicioni të 57-të të festivalit ende nuk është bërë publik, edhe pse, sipas deklaratave të dy selektorëve të rinj, ka qenë thuajse gati që në muajin tetor dhe pritej të shpallej në fillim të 2017. Pas dhjetë vitesh “Vera e Ohrit” ka ndërruar dy selektorët, përkatësisht aktori i Teatrit të Dramës Zoran Llutkov është selektori artistik i pjesës së dramës, ndërsa solisti i Operës dhe Baletit, Gjorgji Cuckovski është selektori artistik i pjesës së muzikës së këtij festivali. Selektori Cucovki ka paralajmëruar hapje dhe mbyllje spektakolare të këtij edicioni, por edhe çeljen e skenave të reja për koncertet që do të zhvillohen dhe një program të larmishëm nga të gjitha zhanret muzikore. “Kam insistuar në kërkesën për të pasur në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore emra të njohur të muzikës shqiptare. Përkatësisht një natë shqiptare, kushtuar muzikës dhe artistëve shqiptare, që do të jetë risia e këtij edicioni. Me këtë iniciativë ranë dakord edhe anëtarët e tjerë të komisionit, por edhe drejtuesit e Verës së Ohrit. Tashmë Shkëlzen Doli dihet se do të marrë pjesë, jemi në pritje edhe të tenorit Pirgu dhe sopranos Inva Mula”, thotë për KOHA, anëtari Rami Mustafa. Në skenën e Festivalit “Vera e Ohrit” prej disa vitesh kanë munguar artistë shqiptarë me renome botërore. Disa vjet më parë violinisti Tedi Papavrami, ishte pjesë e këtij festivali, ashtu si edhe sopranoja Inva Mula. Po ashtu në të kanë marrë pjesë edhe artistë dhe grupe të ndryshme muzikore, janë shfaqur pjesë teatrale, por viteve të fundit kjo prezantimi i kulturës shqiptare ka qenë i reduktuar në maksimum, me përjashtim të artistëve shqiptarë dhe trupave teatrore nga vendi. Kjo është hera e parë për violinistin Doli që të performojë në “Verën e Ohrit” dhe hera e dytë në Maqedoni, pas koncertit të dy viteve më parë në Tetovë. Doli mbahet mend për performacën “Albanian Soul” si pjesë e koncertit tradicional të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës, ndërsa në fillim të këtij viti, ai sërish impresionoi publikun shqiptar në koncertin e mbajtur në Tiranë, së bashku me Ansamblin filarmonik vjenez.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.