Një 33-vjeçar që prej vitesh jeton në Finlandë i licencuar si trajner personal, ndërsa hobi i ka edhe artet marciale si Mix Martial Arts (MMA). Ndonëse për të gjithë duket e pabesueshme, ndoshta për dikë edhe mund të jetë inspirim gjithë puna që po e bën
Bisedoi: Blerand REXHEPI
E vërtetë që shqiptarët tashmë mund t’i gjeni në mbarë botën duke treguar punë e shumë suksese e duke zbardhur fytyrën vendit të tyre por që në Finlandë mund të gjeni dikë që është shembull edhe për finlandezët kjo ndoshta është e pabesueshme. Shkelzen Bucolli nga Kamenica që jeton në Finlandë, është një prej tyre. Një 33 vjeçar që prej vitesh jeton atje i licencuar si trajner personal ndërsa hobi i ka edhe artet marciale si Mix Martial Arts (MMA). Ndonëse për të gjithë duket e pabesueshme, ndoshta për dikë edhe mund të jetë inspirim gjithë puna që po e bën. Për të mësuar më shumë rreth tij zbuloni në intervistën e realizuar për InfraRed të gazetës KOHA.
KOHA: Sa kohë ka që merresh me këtë sport?
Me këtë sport merrem tash e nëntë vite, me një fjalë ia kam kushtuar pjesën më të madhe të jetës, por këtë sport e bëj me shumë pasion dhe koha kalon shumë shpejtë.
KOHA: Cilat janë sfidat me të cilat je përballur në fillim?
Çdo fillim është sfidues, por nëse ke përkushtim dhe motivim të mjaftueshëm arrin çdo gjë. Sidomos për fillestarët ky sport mund të jetë demotivues gjatë muajve apo edhe viteve te para, duke mos parë rezultatet e dëshiruara as shpejtë sa duam, por nëse kemi besim, vullnet dhe përkushtim ato sfida mbeten vetëm në kujtesë.
KOHA: E sa je i kënaqur me veten tënde gjatë gjithë kësaj periudhe?
Duke mos qenë 100% i kënaqur me veten është mënyra e vetme për të punuar më shumë drejtë arritjeve të qëllimeve të synuara. Unë gjithmonë gjej vërejtje tek vetja dhe punoj në drejtim të përmirësimeve.
KOHA: Krahas vetes, ti edhe ushtron të tjerë në këtë drejtim?
Po edhe të tjerët, klientët zakonisht i ushtroj në PTVGYM këtu në Finlandë, ku jetoj edhe veproj.
KOHA: Po sa të kënaqur janë tjerët nga puna jote?
Duke mos humbur modestinë, të gjithë klientët deri sot kanë qenë të kënaqur. Besoj që ky ka qenë rezultat i arritur vetëm pse këtë punë e bëj më shumë vullnet dhe entuziazëm.
KOHA: Merresh me ndonjë aktivitete tjerët apo kryesisht me këtë sport?
Merrem edhe me MMA (Mix Material Arts). MMA, e bëj vetëm për vetëmbrojtje!
KOHA: Sa je adaptuar dhe e ke gjetur veten në Finlandë?
Ka kaluar njË kohË mjaft e gjatë derisa kam arrit me u adaptu, sepse njerëzit nË skandinavi janë shumë më ndryshe nga ne Ballkan, por kryesisht mirë.
KOHA: Duke e ditur që është një nga vendet më demokratike në botë, ke qenë i diskriminuar ndonjëherë?
Kudo në botë është normale të ndjehesh i diskriminuar ndonjëherë, por Finlanda është një shtet që të ofron shumë mundësi dhe ndihem rehat.
KOHA: Po pjesëmarrës në ndonjë garë atje?
Njëherë për njëherë në Finlandë jo. Në Kosovë, vitin e ardhshëm do të marrë pjesë në Mens Physique.
KOHA: Mendon se ky lloj sporti mund të të sjellë fitim apo e bën thjeshtë nga dëshira?
Këtë punë e bëj me shumë dëshirë. Thjeshtë për mua vlen kuota “Puno diçka që ke pasion, në atë mënyrë nuk do ndihesh që po punon asnjë ditë në jetën tënde”.
KOHA: Kohëve të fundit je shumë aktiv në rrjetet sociale me këshilla dhe programe të ndryshme, sa janë efikase dhe ndikojnë tek rinia?
Qëllimi im është të inspiroj sa më shumë rininë që të kthehen drejtë sportit dhe fitnesit që të kemi një rini të shëndetshme dhe të vetëdijshme se sa e rëndësishme është me qenë FIT.