Shkëlqimi i Hysajt, ja si bëri Italinë të heshtë

Elseid Hysaj shkëlqen nga e majta. Prej dy ndeshjesh radhazi në Serinë A, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare i ka mahnitur të gjithë me performancën e tij.

Ndaj Parmës ndoshta ishte sfida më e mirë në këtë sezon me fanellën e Napolit. Trajneri Karlo Ançeloti e aktivizoi në krahun e majtë të mbrojtjes për shkak të dëmtimit të Mario Ruit. Por nuk është rastësi, sepse në stol ishte edhe Ghulam. Hysaj e fitoi fanellën e titullarit ndaj Parmës me ndeshjen që zhvilloi kundër Sampdorias.

Ndryshe nga herët e tjera ku qëndronte i stepur dhe i përqendruar vetëm në mbrojtje, këtë herë Hysaj i befasoi të gjithë dhe ndihmoi sulmin. Ançeloti e ka thënë në konferencën për shtyp se me Malkuit nga e djathta skuadra e tij ka më shumë shpërthime, por e njëjta gjë ndodhi edhe me Hysajn nga krahu i majtë.

Duket se shkodrani e ka kuptuar pikën  e tij të dobët dhe gjatë kësaj kohe punoi fort për të bindur trajnerin se është një lojtar i rëndësishëm për Napolin. Me Sarrin ishte gjithmonë titullar dhe i paprekshëm në krahun e djathtë. Ndërrimin e trajnerit nuk e përjetoi shumë mirë, por nuk u dorëzua kurrë dhe ia doli që t’i bindte të gjithë.

Madje e gjithë Italia ndihet fajtore që e ka kritikuar dhe e ka “masakruar” Hysajn gjatë kësaj kohe. Shkodrani ia doli që t’i heshtë të gjithë dhe pse jo të provojë shanset për të qëndruar edhe në verë te Napoli. Gjatë merkatos së janarit u përfol se mund të shkonte drejt Çelsit, por më mirë për Napolin që qëndroi. Tani është realisht i transformuar.

GAZETARËT- Gazetari Umberto Kiarelo ka folur në lidhje me këtë çështje, duke u shprehur se Hysaj është masakruar padrejtësisht kaq kohë.

Sa i përket krizës që ka kaluar mbrojtësi, gazetari ia ka hedhur fajin Sarrit. “Shqiptarin e kemi masakruar shumë padrejtësisht. Ai ishte pak i bllokuar dhe shkaku ka qenë Mauricio Sarri, pasi në të gjithë karrierën e tij ka punuar me të. Ndryshimi i trajnerit ka ndikuar shumë te ky lojtar, ndërsa tani po ambientohet dhe po bën shumë mirë”, u shpreh gazetari.

“SKY”- Edhe Fabio Karesa, komentatori i njohur italian i “Sky” foli me superlativa për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Ai thotë se Hysaj bëri ndeshje mjaft të mirë në krahun e majtë. “Një provë vërtet e mirë nga Napoli. Luajti shumë bukur dhe në mënyrë të shkëlqyer Hysaj me pasimet e tij. Ishte autori i një ndeshjeje shumë të mirë”, tha gazetari italian.

“GAZZETTA”- Mbrojtësi shkodran i Kombëtares u vlerësua maksimalisht edhe nga gazeta më e madhe sportive italiane. “Gazzeta Dello Sport” i ka vënë notën 6,5 dhe komenton se pasimi për golin e Zielinskit ishte spektakolar. “I mrekullueshëm asisti i tij për golin e shënuar nga Zielinski”, shkruhej në gazetën italiane.