Përtej procedurave, ligjeve dhe hapave që pa diskutim janë të nevojshme, nëse duam të vëmë një shoqëri në këmbë, frika, frika e humbjes së privilegjeve apo dhe nga vetja mbase bën që pastaj të gëlltitet çdo gjë, të shkohet deri në skajshmëri apo të pranohet edhe poshtërim i madh. I paimagjinueshëm gjatë shkëlqimit, por i pranueshëm gjatë rënies. Imagjinoni “Zylot” me pranga, kur do rikthehen, me kokën poshtë, pa asnjë dinjitet dhe pa asnjë mundësie rimëkëmbjeje
Nga Nazim RASHIDI
Në mbamendjen tonë kolektive, mbahen dhe do të mbahen mend nja dy personazhe të cilët kanë qenë shpesh pjesë e situatave me të cilat publikut qeshte aq edhe i vinte për të qarë. Dhe kur e themi kështu në përgjithësi ju mendoni se flas për personazhe politik (që sigurisht me ata do i lidh) por flas për dy personazhe patetike të letërsisë shqipe, që kanë të bëjnë me shtetin me burokracinë dhe situatat të cilat ndonëse përshkruajnë një kohë të largët, komunizmin, ngjasojnë shumë me personazhet e sotëm të politikës, të cilët në fund po dalin më shumë tragjikë se sa komikë, dhe ku e ku më patetik.
Prej disa ditësh kam në mendje librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Dhe Zylo dhe Demka, janë personazhet të cilët i përshkrova në fillim. Të dy dalin nga letërsia shqiptare. Ku ndonëse në fokus është më shumë Zylo (dhe çdo ngjashmërie tashmë me realitetin, skam ç’t’i bëj) aty del dhe Demka. Të dy janë personazhet e romanit“Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”të Dritëro Agollit, të cilin roman gazeta franceze Le Figaro e krahason me “Revizorin” e Gogolit. I shkruar në komunizëm dhe për të portretizuar realizmin socialist, personazhet dhe sidomos Zylo sjellin përshkrimin e atyre që duan rritje në poste e pushtet, pa meritë dhe punë,ku disi me mirësjellje po shtypin njerëzit gjithnjë me idenë, për të mirën e tyre!!!
Me fjalë të tjera tregohet se si ngrihet dhe bie nga detyra një burokrat për shkak të rrethanave të caktuara, e kështu shohim shkëlqimin dhe rëniene e shokut Zylo. Zylo në libër e “Zylo” në realitet. Por nëse romani pretendon të jetë komik, situatat me realitetin tonë s’janë të tilla. “Zylo” i jonë, që dukej i madh dhe hero, u arratis, sepse e prisnin ditë burgu. Kurse shoku i tij “Mile me tekna” (Mile mu kujtua) ose “Demka” kishte dashur të ikë. Kur i bëhet analizë personazheve të Agollit, gjithmonë thuhet se janë produkt i njëri-tjetrit dhe nuk mund të imagjinohen njëri pa tjetrin.
Ata që mbase e kanë parasysh librin e dinë se të dy, herë i bëjnë problemet dhe fajet bashkë e herë i vuajnë vetë situatat. Fiks si “Zylo” e “Demka”. Edhe një herë dua ta theksoj, zhvillimet e ngjarjes së librit të Agollit përshkruajnë komunizmin, një regjim monist e diktatorial. Ironia është se këta personazhet e realitetit tonë, luftonin me ngulm njëmendësinë e komunizmit që të krijojnë sistem autoritar e të ngjasojnë pikërisht me ata që i urrenin më shumë. Dy personazhet janë patetike në libër, ti qesh me ata, por në realitet këta personazhet tanë kanë sjellë vuajtje dhe dëme për aq shumë njerëz.
Nuk e heq dot librin nga mendja. Mbase dhe si një dënim se i krahasoj me apartçukë të vegjël të një burokracie të keqe.
Ja si përshkruhen personazhet:
“Komizmi i figurës së XXX buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash. XXX është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e XXXX. Në të vërtetë XXXX është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. XXXX nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët”.
Hoqa emrin qëllimisht, se nuk përshkruhet Nikolla Gruevski, apo Mile Janakievski, por Zylo.Zylo i librit. Ky është një përshkrim i librit që e gjen në wikipedia. Imagjinoni analiza më të thella! Ndërkohë ky “Zylo” i jonë nuk është thjeshtë personazh imagjinar. Tragjikomizmi i tij që ishte real, me pushtet të fortë dhe ka sjellë aq shumë vuajtje. Dhe kur jemi te shkrimtarë e te autorë më vinë në mendje thënie të ndryshme, që te ajo e Platonit, që mbase është më e parafrazuara se po të duash të shohësh dikë se çfarë njeriu është, jepi pushtet e deri tek thënia e Naom Chomsky-t kur thotë se për të pushtetshmit, krime janë vetëm ato që bëhen nga të tjetër.
Megjithatë dua të theksoj sot, atë të nobelistit John Steinbeck kur thotë se: “Pushteti nuk të korrupton. Frika të korrupton. Mbase frika nga humbja e pushtetit”. Dhe realisht ajo që po shohim e pamë ndër vite, kjo është. Një pushtet që në fillim vjen me premtime, madje dhe me elan dhe me dëshirë të plotë për të bërë ndryshimin, për të ndihmuar njerëzit realisht, si dhe Zylo i Agollit. Por më pas vjen rrënimi, vjen frika, që mbase ajo e humbjes së pushtetit, çon deri në marrëzi. Ajo sjell si duket atë dëshirë për të kontrolluar gjithçka, gjitha poret e shoqërisë, gjitha sistemet e kontrollit. Dhe uufffff…a nuk ndodhi kjo gjatë gjithë kohës. Dhe sot nga një frikë për të humbur krenarinë, kemi një shpartallim total të çfarë do kredibiliteti e legjitimiteti.
Për tej procedurave, ligjeve dhe hapave që pa diskutim janë të nevojshme, nëse duam të vëmë një shoqëri në këmbë, frika, frika e humbjes së privilegjeve apo dhe nga vetja mbase bën që pastaj të gëlltitet çdo gjë, të shkohet deri në skajshmëri apo të pranohet edhe poshtërim i madh. I paimagjinueshëm gjatë shkëlqimit, por i pranueshëm gjatë rënies. Imagjinoni “Zylot” me pranga, kur do rikthehen, me kokën poshtë, pa asnjë dinjitet dhe pa asnjë mundësie rimëkëmbjeje. Se di, gjithmonë besoj te njerëzit. Dhe kur pushtetarët shprehin sinqeritet, njerëzit, sovrani ua pranon. Aq shumë raste e shembuj ka të tillë që na sjell historia. Aq shumë libra e shembuj për pushtetin. Por kot, këta “Zylot” të kohës sonë një herë nuk thanë “më fal”, apo të pranojnë gabimin.
Mbase aq do duhej që rënia të ishte e butë. Dhe jo vetëm aq, por me mundësi të tjera. Por jo. Dhe prandaj kemi ekstremin. Ikjen dhe poshtërimin. Në të kundërt, nëse pranonin dhe e dinin se pushteti nuk është i përhershëm, nëse kjo do ishte e qartë, s’ka pse të kihej frikë se do e humbasësh. E mos të flas për përgjegjësinë e dëshirën realisht të vësh gurë në kalanë e ndërtimit të shoqërisë, shtetit, që në esencë është sizifiane. Nuk është se shembet, por nuk përfundon së ndërtuari asnjëherë.
Por këto që them duken se nuk janë parime e vlera që politikanët i kanë. Ose mbase, i kanë në fillim, por realisht, enigmë është dhe do mbetet, se ç’është ajo që i bën t’i rrënojnë deri në vetëshkatërrim. Dhe sot prandaj, më shumë se çdo gjë tjetër kemi një rënie, të lirë, totale, shkatërruese, të çdo mundësie që “Zylon”, ta shohim njerëzor. Sepse shkëlqimi paska qenë aq verbues, frika paska qenë aq fatale, sa rënia, në çdo rrethanë, s’do lejojë rimëkëmbje. Asnjëherë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)