Shkëlqimi dhe rënia e dinastisë Mediçi

40

Ana Maria de Mediçi, pasardhësja e fundit e drejtpërdrejtë e familjes, firmosi një pakt ligjërisht të detyrueshëm, për ruajtjen e veprave të artit në qytetin e Firences. Si rezultat, katedralet dhe muzetë e shumta, si Kapela Mediçi dhe Galeria Ufici, janë edhe sot të mbushura me thesare të paçmuara

Ajo ishte një nga familjet më të pasura dhe më të fuqishme në Evropë. Prej saj dolën 2 mbretëresha, 3 mbretër dhe 4 papë. Si sundimtarët de fakto të Firences për gati 300 vjet, Mediçit krijuan bazën e Rilindjes Italiane. Por para se t`a ngrinin perandorinë e tyre, Mediçi e nisën si fermerë të varfër nga Kafaxhiolo në veri të Toskanës. Nga fundi i shekullit XIII-të, Xhovani di Biçi de Mediçi e ndryshoi origjinën e përulur të klanit të tij me themelimin e një banke të suksesshme. Për të plotësuar statusin e ri, familja trilloi një prejardhje po aq mbresëlënëse. Sipas legjendës së përhapur prej tyre një i afërm i largët me emrin Averardo luftoi si një kalorës kundër Karlit të Madh të Frankëve. Në vitin 1537, Perandori i Shenjtë Romak Karli V i dha zyrtarisht familjes fisnikërinë që ata dëshironin duke themeluar Dukatin e Madh të Toskanës.

Perandoria bankare e familjes Mediçi do të zgjerohej me shpejtësi, për t’u bërë institucioni më i madh financiar në Evropë, me degë në Napoli, Gjenevë dhe Londër. Lista e gjatë e klientëve të pasur përfshinte edhe Vatikanin, duke krijuar një aleancë të fortë që u solli shumë fitime. Nën drejtimin e Kozimo de Mediçit (djali i Xhovanit), Firence u bë qendra kryesore bankare. Fuqia e tyre ishte e tillë, sa që patën madje edhe “qasje”të drejtpërdrejtë tek Zoti. Në vitet 1500, 4 të afërm të tyre u zgjodhën si Papë, duke filluar me Papën Leonin X në 1513 vitin. Por drejtimi i Vatikanit prej tij u shoqërua nga skandale dhe një shthurje e paparë. Ishin teprimet tij, ato që çuan drejtpërdrejt tek Reforma Protestante. Ata mbanin lidhje me figurat më të mëdha të shkencës. Kështu Galileo Galilei ishte i punësuar si mësues kujdestar i fëmijëve të kësaj familje

Si stërmbesa e Lorencos së Madhërishëm, dhe mbesa e Papa Klementit VII, Katerina e de Mediçi (Katerine e Madhe)ishte një nga gratë më të fuqishme të epokës së saj. Bukuria dhe zgjuarsia e saj, e lejuan të kishte de fakto pushtetin mbi Francën si një bashkëshorte e mbretit, regjente dhe më pas si nënë e 3 mbretërve. Në moshën 14 vjeçare, Katerina u fejua me Henrin, djalin e mbretit francez Fransua I, duke çimentuar një aleancë strategjike dhe siguruar linjat e ardhshme mbretërore të gjakut. Ajo lindi 10 fëmijë, përfshirë monarkët Fransua II, Sharli IX dhe Henri III. Gjithashtu, 2 nga vajzat e saj u bënë mbretëresha, përkatësisht në Spanjë dhe Francë. Ndikimi i Katerinës në shekullin XVI-të, veçanërisht gjatë Luftërave Fetare – e bëri atë një figurë sa të dashur nga disa aq edhe të urryer nga disa të tjerë.

Pavarësisht sa e meriton apo jo, Kaeterina u fajësua për masakrën e Ditës së Shën Bartolomeut, ku u vranë mijëra Hygenotë. Interesimi i përjetshëm i saj për okulten dhe marrëdhënia e ngushtë me fallxhorin legjendar Nostradamus, vetëm sa ia shtoi reputacionin e saj prej fajtoreje. Kësaj familje i njihet edhe merita e shpikjes së akullores që njohim sot. Edhe pse shpikja e akullores daton që në Kinën e lashtë, varieteti i butë italian u krijua posaçërisht për familjen Mediçi. Në njërin nga variantet e historitë,një kasap i quajtur Ruxheri, fitoi një konkurs prestigjioz për krijimin e “pjatës më të pazakontë”. Katerina u magjeps aq shumë nga ëmbëlsira e pazakontë sa që e mori me vete Ruxherin në oborrin mbretëror francez në Paris, për të gatuar për dasmën e saj në vitin 1533. Historia tjetër alternative, thotë se akullorja u krijua nga arkitekti i njohur italian Bernardo në vitin 1565.

Mbështetja e madhe e familjes Mediçi për shkencat humane, luajti një rol të madh në shkuarjen në Firence të artistëve më të mirë të Evropës. Mes talenteve ishte edhe një adoleshent premtues nga fshati i vogël toskan Kaprese, të cilin bota e njohu si Mikelanxhelo. Në vitin 1490, 15-vjeçari pranoi ftesën për t’u zhvendosur me banim në Palazzo Medici. Atje, ai u bë pjesë e familjes së famshme,ndërsa rafinonte aftësitë e tij të pazakonte artistike.

Mikelanxhelo do të merrte 3 porosi nga tre Papë të familjes Mediçi (Leoni X, Klementi VII dhe Piu IV). Gjatë asaj periudhe, ai prodhoi disa nga veprat e tij më të mira, si skulptura e Moisiut dhe afresku i tij “Gjykimit të Fundit”, që mbulon murin e altarit të Kapelës Sistine. Gjatë mbretërimit të tyre të gjatë, Mediçit ishin vazhdimisht vigjilentë, pasi kishin bërë shumë armiq. Në vitin 1478, familja Paci ndërmori një grusht shteti për të vrarë princat e familjes Mediçi, Lorenco dhe Xhulianon. Edhe pse vëllai i vogël vdiq nga plagët e marra, Lorenco mbijetoi dhe arriti të vrasë apo dëbojë nga qyteti rivalët e tij.

Një sulm tjetër, këtë herë nga një predikues radikal i quajtur Xhirolamo Savonarola, do të ishte më i suksesshëm. Frati puritan domenikan arriti të merrte kontrollin e Firences në vitin 1497, duke i inkurajuar mbështetësit e tij fanatikë të digjnin librat, veprat e artit dhe sende të tjera që konsideroheshin si “kotësi” të liga. Por një vit më vonë, Savonarola u shkishërua dhe më vonë u ekzekutua me varje. Nëse historia na mëson ndonjë gjë, ajo është se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, përfshirë dinastitë. Në vitin 1737, Xhan Gastone de Mediçi vdiq pa lënë asnjë trashëgimtar mashkull, duke i dhënë fund Dukatit të Madh të Toskanës. Megjithatë, motra e tij do të shpëtonte trashëgiminë e familjes. Ana Maria de Mediçi, pasardhësja e fundit e drejtpërdrejtë e familjes, firmosi një pakt ligjërisht të detyrueshëm, për ruajtjen e veprave të artit në qytetin e Firences. Si rezultat, katedralet dhe muzetë e shumta, si Kapela Mediçi dhe Galeria Ufici, janë edhe sot të mbushura me thesare të paçmuara. (bota.al)