Medelin, 23 shkurt – Ndërtesa gjashtëkatëshe në qytetin Medelin, ku dikur jetonte narko bosi kolumbian, Pablo Eskobar është shkatërruar në një shpërthim në përpjekje të autoriteteve që të luftojnë kundër trashëgimisë së tij. Në këtë vend do të ndërtohet një park, në shenjë përkujtimi të viktimave të kontrabandimit të drogës.
Ndërtesa Monako, e vendosur në një lagje pasanikësh në qytetin e dytë për nga madhësia në Kolumbi, u shkatërrua dje, në një shpërthim spektakolar i cili krijoi re të madhe të pluhurit të kuq. Ajo ishte një prej disa shtëpive të Eskobar, përgjegjësi për rreth 6.000 vrasje.
Narko bosi, i cili në vit fitonte me miliarda dollarë, u vra në vitin 1993 në çatinë e ndërtesës në të njëjtin qytet, në moshën 44 vjeçare.
Ndërtesa Monako ishte pjesë e rutave turistike me temë – jeta e Eskobarit, shumë të njohur në këtë qytet.
Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duke shkatërrimin e ndërtesës e quajti fitore të “kulturës ndaj ligjshmërisë”.
“Sot ndërtesa u rrënua dhe shpresa u ngrit. Është e pamundur ta ndryshojmë të kaluarën por mund të ndërtojmë të tashme dhe të ardhme më të mirë”, tha ai në një deklaratë për mediat kolumbiane.