Në vendkalimin kufitar Bogorodicë, në dalje të Republikës së Maqedonisë dje janë konfiskuar rreth 515 kilogramë marijuanë në një bunker të bërë special në tavanin e rimorkios së kamionit me targa regjistrimi të Shkupit.
“Sektori për polici kriminalistike dhe Sektori për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe serioz në koordinim me Prokurorinë Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dje në vendkalimin kufitar Bogordicë, në dalje nga Republika e Maqedonisë i konfiskoi rreth 515 kilogramë marijuanë, ndërsa nga liria është privuar një person. Marijuana e konfiskuar është dashur të transportohet në Turqi, ndërsa vlera e saj vlerësohet në mbi një milion euro”, kumtoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski në konferencën e sotme për shtyp.
Pas udhëzimeve të dhëna paraprakisht, siç sqaroi ai, në vendkalimin kufitar Bogorodicë në dalje prej Republikës së Maqedonisë është kryer bastisje në automjetin motorik transportues të markës “man” dhe gjysmërimorkios me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik, ndërsa i drejtuar nga Z.A (46) nga Shkupi. Gjatë bastisjes së bërë në bunkerin e bërë special në tavanin e rimorkios janë gjetur 181 paketime politetileni me marijuanë ndërsa Z.A. është shoqëruar në polici.
Në kuadër të hulumtimit kriminalist është përcaktuar se gjatë nëntorit dhe dhjetorit, D.S. (33) nga Shkupi ka furnizuar marijuanë nga Shqipëria me qëllim të shitjes në Turqi, ndërsa atë e ka organizuar dhe transportuar përmes Maqedonisë dhe Greqisë deri në territorin e Turqisë.
Për realizimin e transportit, D.S. për kompensim mujor përkatës e ka angazhuar Z.A. Bunkeri në automjet është bërë në Turqi dhe që atje Z.A. e ka sjellë automjetin në Shkup, ku është përgatitur marijuana për transport.
“Gjatë ditës së djeshme, pas urdhrave të dhëna nga gjykatësi i procedurës paraprake, është bërë bastisje në shtëpinë e D.S. në Shkup me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të dëshmive materiale plotësuese. Nga bastisja e bërë, janë gjetur dhe janë marrë një automjet “reno megan”, telefona celularë dhe dokumente të shumta. Gjatë ditës së sotme në Prokurori është shtruar padi penale kundër D.S. si organizator i transportit dhe Z.A. si transportues i drogës, për veprën e kryer penale – “prodhim i pautorizuar dhe lëshimin e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” sipas nenit 2015 paragrafi 3 i Kodit Penal të Maqedonisë”, theksoi Angellovski.