Tiranë, 13 nëntor- Gjatë orëve të para të mëngjesit është zhvilluar një operacion policor ndërkombëtar antidrogë në zonën e Napolit dhe Kazertas. Ky operacion ka bërë të mundur të shkatërrohet një organizatë kriminale Italo-Shqiptare dhe gjatë ditës së sotme janë lëshuar 26 urdhër arreste nga Prokuroria e Napolit.
ATSH njofton se operacioni i koduar “SMOKE SNAKE” është kryer nga Guardia di Financa e Marcianise dhe ka filluar në qershor të vitit 2016. Që me nisjen e hetimit të këtij grupi deri në finalizimin e operacionit ka patur një shkëmbim në kohë reale informacionesh mes Policisë së Shtetit shqiptar, Guardia di Financa-s dhe Policisë italiane nëpërmjet Zyrave ndërlidhëse në Itali dhe Tiranë.
Nga viti 2016 janë sekuestruar 38 kilogram marihuanë dhe 8 kilogramë heroinë. 500 mijë euro pasuri: 2 apartamente, 1 autoveturë, 3 kompani, 65 llogari bankare 18.000 euro në kesh. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë ekzekutuar 21 urdhër arreste, për 21 shtetas; 18 Italianë dhe 3 Shqiptarë. Shtetasi Shqiptar me iniciale L.C. vjeç 36 u arrestua sot gjatë operacionit, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më parë në flagrancë po në kuadër të këtij operacioni. E.N. vjeç 26 ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg. E.Sh vjeç 39 ka qenë i arrestuar dhe iu bë njoftimi i urdhër arrestit në burg.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe një sasi heroinë, rreth 1 kilogram në Napoli. Po gjatë operacionit janë sekuestruar edhe asete të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale që kalojnë gjysmë milioni euro. Organizata kriminale operonte në fushën e drogave të forta kryesisht të tipit heroinë në zonën e Napolit dhe Kazertas. Operacioni është në vazhdim dhe për këtë arsye nuk mund të japim detaje të mëtejshme.