Federata Gjermane e Futbollit vendosi të shkarkojë nga detyra Hellmut Krug, supervizorin e sistemit VAR. Ky i fundit akuzohet se ka favorizuar Shalken, pasi ka qenë i pranishëm në “Gelsenkirchen”, në ndeshjen kundër Volfsburgut. Edhe pse “video Assistant Referee” vlerësohej si sistemi që do të kufizonte gabimet e arbitrave dhe do ti ndihmonte që në raste të dyshimta të marrin vendimin më të drejtë, pa ndikuar në rezultatin e ndeshjes, në Bundesligë shpërthyen polemikat.
Akuzat rreth Hellmut Krug shpërthyen gjatë javëve të kaluara, për shkak të disa episodeve në të cilat përgjegjësi i sistemit VAR ndikoi në vendimet e asistentëve video të pranishëm në ndeshje. Problematikat më të mëdha ishin ato në ndeshjen e Schalkes dhe Wolfsburg, gjatë së cilës u morën dy vendime që favorizuan vendasit. Krug ndikoi në vendimin e asistentit video Marko Fritz për të akorduar 11-metërsh në favor të ekipit nga “Gelsenkirchen”, qytet ku për më tepër Krug ka lindur. Ish-supervizori tashmë nuk do të ketë asnjë përgjegjësi në sistemin VAR, por do të qëndrojë në detyrë në Federatën Gjermane, ku do të kujdeset për analizat e dokumentacionit teknik.