Shkarkohet nga detyra myftiu i Tiranës, Ylli Gurra

Komiteti Mysliman i Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra.

Mësohet se vend të Gurrës është emëruar Lauren Luli, i cili më parë ka mbajtur edhe postin e nënkryetarit.

Në një deklaratë për RTV Ora, Gurra shprehet se shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të reaksionit të zgjedhjeve të marsit. Kujtojmë që Gurra nuk i pranoi zgjedhjet e marsit kur kryetar i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar u zgjodh Bujar Spahiu, duke i cilësuar ata një farsë.

“Kemi një farsë të organizimit të zgjedhjeve në këtë mënyrë, një organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar KMSH, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, edhe të disa myftive, por edhe të shoqërisë civile, por edhe katapultimin e titullarit. Organizatë të cilët dihen publikisht… Ajo, çka prekët ju gylenistët, apo kemalistët, apo dikush tjetër gjetkë sigurisht që nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarjesh dhe në të tilla katapultime të krerëve të KMSH të këtij vendi, sepse detyrimi i parë është që shqiptarët ta zgjedhin vetë kryetarin pa ndikime, qofshin këto organizative, qofshin financiare, apo ideologjike.”- shprehej Gura pas zgjedhjeve të marsit.

Njoftimi i KMSH:

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu zhvilloi një takim në selinë e Komunitetit Mysliman me imamët e xhamive të Tiranës, ku prezantoi myftiun e ri të Tiranës, z. Lauren Luli.

Gjatë takimit kreu i KMSH-së vuri theksin në dhënien e një impulsi të ri institucionit të myftinisë. Gjithashtu z. Spahiu vlerësoi punën dhe kontributet e deritanishme në këtë myftini.

Myftiu i ri i Tiranës, z. Lauren Luli është teolog. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Islame në Bursa të Turqisë dhe më pas masterin shkencor në Shkencat e Hadithit në KU Bedër, Tiranë. Ai ka ushtruar detyrën e tij si imam dhe myfti si dhe prej dy vitesh mbante postin e nënkryetarit të KMSH-së.

Imamët e Myftinisë së Tiranës mirëpritën emërimin e z. Luli në këtë detyrë si edhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe çuar përpara shërbimin fetar në kryeqytetin e vendit.

Ish Myftiu i Tiranës z. Gurra tashmë mban postin e Këshilltarit të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.