Prishtinë, 15 tetor 2018 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi është shkarkuar nga funksioni me kërkesë të partisë së tij, Aleanca Kosova e Re (AKR) e zëvendëskryeministrit dhe shefit të diplomacisë kosovare Bexhet Pacolli, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Lajmin për mediat kosovare e bëri të ditur sekretari ekzekutiv i AKR-së Rrahim Pacolli, i cili ka deklaruar se shkarkimi i tij vjen pasi që i njëjti nuk ka treguar performancë të mirë në punët me të cilat obligohet.
“Po, është e vërtetë që ai është shkarkuar nga ana e partisë. AKR-ja gjithmonë i ka ndërruar ministrat e saj. Kjo po bëhet për shkak të performancës. Çdo ministër i AKR-së, duhet të japi më shumë punë në të mirë të qytetarëve”, i tha gazetës “Ekspres” Pacolli.
Shkarkimi i Gashit nga detyra e të parit të MBP-së vjen në kohën kur Kosova është duke e pritur votimin për anëtarësim në INTERPOL.
Ekpres merr vesh se ministër i ri mund të jetë Ekrem Mustafa nga Ferizaj. Për këtë më i zëshmi ka qenë deputeti i kësaj partie, Labinot Tahiri, duke thënë se Ferizaj si një qytet që jep aq shumë për shtetin e Kosovës, e meriton një ministër nga rajoni i vet.
Gashi erdhi në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme në prill të këtij viti, në vendin e Bajram Sefaj, prej të cilit Haradinaj kërkoi dorëheqje për shkak të përgjegjësisë për deportimin në Turqi të gjashtë shtetasve turq, të cilët presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i akuzoi se janë bashkëpunëtorë të predikuesit islamik Fetullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon se qëndron pas grusht shtetit të dështuar në korrik të vitit 2016.
Kuvendi i Kosovës për rastin e “gylenistëve” formoi komision anketues, ndërsa në media dhe opinion supozohet se urdhërin për aksionin e fshehtë të shërbimeve të inteligjencës së Kosovës, të cilët ia dërguan Turqisë gjashtë shtetasit turq që me familjet jetonin dhe punonin në Kosovë, e ka dhënë presidenti Hashim Thaçi