Burime të portalit Koha.net brenda Qeverisë së Kosovës të enjten kanë bërë me dije se sot do të shkarkoheshin dy zyrtarë të lartë shtetërorë në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq të lidhur me lëvizjen gyleniste. Portali kishte mësuar se do të shkarkoheshin ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Ndërsa personi tjetër që do të shkarkohet mësohet se do të jetë, Driton Gashi, shef i AKI-së, i cili erdhi në këtë pozitë në shkurt të vitit 2017, pas dorëheqjes së Agron Selimajt. Gjashtë shtetas turq që kishin leje qëndrimi në Kosovë sot me shpejtësi iu hoq ajo, u arrestuan dhe mendohet se rreth orës 13 të ditës së sotme janë ekstraduar për në Ankara. Lejet e qëndrimit ia revokoi Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa aksionin e kanë kryer AKI-ja dhe Policia e Kosovës.