Shkarkimi i gjykatëses Mihajllova është i pari për këtë vit, respektivisht ky vendim i Këshillit Gjyqësor, vjen në kohë kur ende nuk është mbushur një muaj nga shkarkimi i gjykatëses Vesna Kiçeec nga Gjykata Themelore e Ohrit
Omer XHAFERI
Shkup, 20 janar – Ish-ushtruesja e detyrës kryetare e Gjykatës Penale – Shkup, gjykatësja Tatjana Mihajllova, e cila me sistemimin e fundit (viti 2017) u delegua të procedojë lëndë në Sektorin e kundërvajtjes, së fundmi është shkarkuar nga detyra. Emri i ish-gjykatëses Mihajllova, për opinionin u bë i njohur përmes rastit “Shuplakat”, i iniciuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike, ku i akuzuar i parë ishte Nikolla Gruevski, shkruan gazeta KOHA. Njëkohësisht, ajo ishte në krye të Këshillit penal për procedimin e rastit “Puç”, ku i akuzuar ishte kryeministri aktual Zoran Zaev. Po ashtu, ajo ishte pjesë edhe akuzave për keqpërdorim të sistemit AKMIS, gjegjësisht për ndarjen në dorë të lëndëve gjyqësore. Gazeta KOHA mëson se gjykatësja Mihajllova, pothuajse një vit të plotë nuk është paraqitur në detyrën e saj me arsyetim të pushimit mjekësor.
Publikimi i audio-materialeve nga përgjimet e jashtëligjshme në opinion shpalosi edhe skandalin në gjyqësor, gjegjësisht listën e gjykatësve “Svarovski”, pjesë e të cilëve ishte edhe Tatjana Mijallova, e cila mes tjerash njihesh si gjykatësja që e dërgoi në paraburgim gazetarin Tomisllav Kezharovski. Shkarkimi i gjykatëses Mihajllova është i pari për këtë vit, respektivisht ky vendim i Këshillit Gjyqësor, vjen në kohë kur ende nuk është mbushur një muaj nga shkarkimi i gjykatëses Vesna Kiçeec nga Gjykata Themelore e Ohrit. Këshilli Gjyqësor në fund të vitit 2020 solli vendim për shkarkimin e gjykatëses Kiçeec, me arsyetim se ajo ka punuar në mënyrë jo profesionale dhe të pandërgjegjshme. Po ashtu, rreth këtij rasti Këshilli Gjyqësor solli vendim për largimin e saj nga gjykata, edhe pse gjykatësja Kiçeec, kishte të drejtë të ankesës ndaj këtij vendimi. Zvarritja e procesit gjyqësor për një vrasje të ndodhur me 1 janar të vitit 2016, nga një shtetas serb në Ohër, ka qenë lënda e cila ka ndikuar në shkarkimin e kësaj gjykatëse, e cila më pas është arsyetuar se prolongimi i këtij gjykimi ka ndodhur për shkak të Gjykatës së Apelit.
Si rrjedhojë e kësaj qasje të gjykatave i akuzuari serb për vrasjen e të riut Dimitar Matillovski, ishte arratisur nga vendi.
Përpos gjykatëses në fjalë, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar e shkarkoi nga pozita e gjykatësit edhe gjykatësin e Gjykatës Administrative, Mustafa Shaini, pikërisht për bazën e njëjtë si gjykatësja, Kiçeec, për punë jo profesionale. Emri i gjykatësi Shaini, për opinionin më tepër u bë i njohur pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda, në dhjetor të vitit të 2019 dorëzoi aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve. Sipas prokurorisë ai ngarkohet se arkën shtetërore e ka dënuar për 200 mijë euro. Krahas vendimeve të Këshillit Gjyqësor, nga qershori i vitit 2020 në përputhje me kompetencat e reja të fituara edhe Këshilli i Prokurorëve Publike ka iniciuar një varg procedurash disiplinore për vërtetimin e shkeljeve eventuale të prokurorëve. Në mesin e këtyre procedurave është lënda edhe për një rast në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ndryshe, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiqi, vendimet e fund vitit të 2020 të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i cilësoi si fillim të procedurës për filtrim të sistemit gjyqësor në vend. (koha.mk)