Omer XHAFERI
Shkup, 7 qershor – Me ose pa pëlqimin e Këshillit të Prokurorëve Publik (KPP), propozimin për shkarkimin e kryeprokurorët Marko Zvërlevski, Qeveria e re do ta parashtrojë në Kuvend, shkruan gazeta KOHA. Sa i përket dhënies së mendimit të parë të KPP-së, në Ligjin për prokurorë publik (LPP) nuk është përcaktuar afati ligjor,që ky këshill ta shkarkojë kryeprokurorin. Ndërkohë, dispozitat ligjore nuk kanë paraparë as edhe Qeverinë që të respektojë ndonjë afat ligjore në këtë drejtim. Zgjedhja e prokurorit të ri që do ta udhëheq në 6 vitet e ardhshëm Prokurorinë Themelore Publike, bëhet në atë mënyrë që Kuvendi pas pranimit të propozimit të Qeverisë, hapë konkurs publik i cili nuk zgjatë më tepër se 15 ditë nga dita e shpalljes apo thirrjes publike në shtyp. Me mbarimin e këtij konkursi dhe pranimin e fletëparaqitjeve të kandidatëve të ri për kryeprokurorë, sipas normave të LPP-së, Qeveria kërkon nga KPP-ja, që të jap vlerësim pozitiv apo negativ në formë të shkruar, për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs. Duke ju referuar neni 41, paragrafit 3, të LPP-së, KPP-ja në afat prej 15 ditëve duhet të prononcohet lidhur me këtë kërkesë ligjore të Qeverisë”. Nëse KPP-ja, për shkaqet të arsyeshme, gjatë kësaj kohe nuk parashtron përgjigje deri te Qeveria e Maqedonisë, atëherë ky afat ligjor vazhdohet për 15 ditë të tjera. Ndërkohë, nëse edhe gjatë këtij afati Këshilli nuk dorëzon vlerësim për kandidatët e paraqitur në konkurs, atëherë ky vlerësim do të llogaritet se është pozitiv”, thuhet në paragrafin 5, të nenit 41 të LPP-së. Paragrafi 6, i nenit 41 të LPP-së, mes tjerash thotë se, nëse Këshilli nuk jep vlerësim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk do të mund të konstatojë propozim për emërtimin e Prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë, respektivisht në këtë rast Qeveria i propozon Kuvendit për përsëritjen e konkursit publik për kryeprokuror. Në rast se ky skenar realizohet dhe KPP-ja nuk bashkëpunon me Qeverinë për zgjedhjen e prokurorit të ri, atëherë procedura për emërtimin e kryeprokurorit mund të zgjasë deri në katër muaj. Ndryshe, sipas burimeve brenda Qeverisë së re, nëse shkarkimi i prokurorit Zvërlevski bllokohet nga ana e KPP-së, atëherë nuk përjashtohet mundësia që para deputetëve të dorëzohet propozim ndryshim me procedurë të shkurtë për shkarkimin dhe ndërprerjen e mandatit aktual të anëtarëve të KPP-së. Duke ju referuar komunikatës zyrtare të Qeverisë, e cila u publikua ditën e martë, vendimi për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski, ka të bëjë me mos përmbushjen në kohë dhe në mënyrë të drejtë të funksionit të tij. Procedura për shkarkimin e Zvërlevskit vjen katër vite pas emërimit të tij në postin e kryeprokurorit shtetëror. Me 21 janar të vitit 2013, Marko Zvërlevski, me 58 vota “për” nga ana e Kuvendit, u zgjodh që të udhëheq me Prokurorinë e shteti, gjegjësisht këtë post ai e trashëgoi nga ish prokurori Lupço Shvërgovski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara