Në më shumë vende në Kaliforni edhe më tej ka zjarre me ç’rast në këtë shtet federal amerikan është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa në mesin e dhjetëra mijërave personave të evakuuar janë edhe aktori hollivudian dhe ish-guvernator, Arnold Shvarceneger si dhe ylli i basketbollit i LA Lejkers, Lebron Xhejms.
Mbi një milion shtëpi dhe objekte afariste kanë ngelur pa energji elektrike pasi dje në mëngjes shpërtheu një zjarr i madh në afërsi të muzeut Geti në Los-Anxhelos.
Mijëra personave, prej disave prej kuarteve më të pasura në qytet, u është urdhëruar t’i braktisin shtëpitë e tyre, në mesin e të cilëve janë edhe Shvarceneger dhe Xhejms, i cili me familjen ka qenë i detyruar të evakuohet.
Zjarri në Los-Anxhelos është duke u përhapur me shpejtësi dhe përfshiu hapësirë prej 200 hekatrësh në kodrat rreth njërës prej autostradave kryesore, transmetoi Zëri i Amerikës. Në të u dogjën së paku pesë shtëpi, ndërsa pritet ky numër të rritet. Për fat të mirë nuk ka të lënduar.
Në pjesën veriore të Kalifornisë për shkak të erës së fuqishme mijëra zjarrfikës edhe më tej nuk mund ta shuajnë zjarrin më të madh në këtë rajon – i ashtuquajtur si zjarri Kinkejd, me ç’rast autoritetet lokale urdhëruan evakuimin e së paku 200 mijë personave.