Shkup, 13 gusht – Të reshurat e shiut, të cilët filluan mëngjesin e 13 korrikut, ndikuan që në tërësi të shuhet zjarri, i cili gjatë vikendit të kaluara e kaploi fshatin Kondovë të rrethinës së Shkupit. Informacionet për djegien e një pjesë të shtëpive të fshatit i kanë demantuar Qendra për Menaxhim me Kriza, ekipet e të cilëve së bashku me banorët vendas dhe shërbimet e zjarrfikësve kanë ndihmuar në lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve. Përhapja e shpejtë e zjarrit përreth malit me pisha që e rrethon fshatin e Kondovë, sipas banorëve vendas, në masë të madhe është ndikuar nga erërat e shpejta. Lidhur me ketë rast, me komunikatë zyrtare janë prononcuar edhe nga Qyteti i Shkupit, të cilët së bashku me 40 zjarrfikës dhe një numër të konsiderueshëm të automjeteve kundër zjarrit, bashkërisht me nëpunësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, gjatë gjithë natës së kaluar kanë qëndruar në fshatin Kondovë. Krahas fshatit Kondovë, në të gjithë territorin e Maqedonisë ekzistojnë rreth 13 zjarre aktive, duke filluar nga Tetovë e Gostivari e gjithandej nëpër Kërçovë, Prilep, Manastir e kështu me radhë. Flaket e zjarreve vazhdojnë të përhapen, përkundër ndalesave dhe apeleve të autoriteteve se prezenca nëpër pyjet dhe male do të sanksionohet nga 1mijë deri në 2 mijë euro. Ndryshe, kjo sezon e zjarreve në vendin tonë është vlerësuar si më e kritike, nga vetë fakti se brenda një ditë janë regjistruar mbi 20 zjarre në lokacione të ndryshme të shtetit. Për këtë arsyet në ndihmë të zjarrfikësve të Maqedonisë, gjatë periudhës së shkuar kanë ardhur edhe ekipet të zjarrfikësve nga Bullgaria dhe Turqia. (koha.mk)