Shitësit kërkojnë kushte

Shitësit në tregun e gjelbërt në Tetovë ankohen për kushtet që ofron ky treg, sidomos gjatë kësaj periudhe kur temperaturat janë të ulta. Si rezultat i motit të ftohtë, vjen edhe deri tek ngrirja e pemëve dhe perimeve

Urim HASIPI

Tetovë, 12 janar – Me ndryshimet ligjore për funksionimin e tregjeve në Maqedoni, që hyri në fuqi më janar të këtij viti, parashihen licenca pune për çdo tregtar në tregjet e Maqedonisë. Në tregun e Tetovës deri më sot asnjë tregtar nuk posedon licencë pune që nënkupton se nuk kanë të lidhur kontratë për huazim të tezgave me NPK “Tetova” Tetovë, shkruan gazeta KOHA.

Shitësit thonë se nuk pajtohen me sjelljen e këtij Ligji, sepse do të rriten shpenzimet e tyre, kurse në anën tjetër – tregu i Tetovës nuk i përmbush kushtet për punë normale veçanërisht gjatë dimrit. “Nuk mund të pajisemi me licenca, sepse të dhënat janë shumë të mëdha, kemi shumë shpenzime dhe nuk mund të arrijmë që të gjitha këto të dhëna ti mbulojmë”, thonë tregtarët. Drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka, thotë se nëse shitësi nuk ka licencë, ndërmarrja nuk mund të lidh kontratë me shitësin.

“Ndryshimet ligjore më shumë kanë të bëjnë për tregtarët, ne si ndërmarrje që menaxhon me këtë tre, jemi munduar që të krijojmë kushte sa më të mira sanitare, kushte për mirëmbajtjen e higjienës. Çdo shitës është i obliguar që të merr licencë nga Oda e tregtarëve. Nëse shitësi nuk ka licencë, ndërmarrja nuk mund të lidh kontratë me shitësin. Nga 1 janari ne kemi dorëzuar vërtetimet tek shitësit dhe mendoj se edhe tregtarët kanë filluar të pajisen me licenca, sepse ata që nuk kanë licencë – nuk do të mund të lidh kontratë me ndërmarrjen”, thotë Ceka. Ai thotë licenca nuk e kufizon veprimtarinë, shitësit mund të furnizohen në bazë të veprimtarisë që e ushtrojnë në treg dhe ata mund të marrin të njëjtën për shitjen e prodhimeve ushqimore, tekstile, bizhuteri, por ata duhet që ta theksojnë saktë veprimtarinë që e ushtrojnë.

“Tregu i qytetit të Tetovës është gjysmë i hapur dhe gjysmë i mbyllur. Në treg, pas orës 20 nuk mund të hyjë askush, aty ruhet malli nga të punësuarit e ndërmarrjes. Në Tetovë nuk kemi treg të hapur, pra kishim një tentativë për ta bërë një të tillë, por i njëjti nuk u realizua. Treg të mbyllur mund ta quajmë këtë treg, pasi që pas mbylljes – nuk ka qasje askush”, theksoi Ceka.

Në ndërkohë, shitësit në tregun e gjelbërt në Tetovë ankohen për kushtet që ofron ky treg, sidomos gjatë kësaj periudhe kur temperaturat janë të ulta. Si rezultat i motit të ftohtë, vjen edhe deri tek ngrirja e pemëve dhe perimeve. Shitësit theksojnë se në këtë periudhë pësojnë dëme të konsiderueshme, sepse malli i ngrirë nuk mund të shitet dhe hidhet në kontejner. Për këtë shkak, shitësit kërkojnë që të mbulohet komplet tregu i gjelbërt dhe të izolohet aq sa ka mundësi që të mos pësojnë dëmtime në mallra. Një pjesë e tyre tashmë në këtë periudhë aspak nuk punojnë dhe kanë pezulluar punën derisa të lejojnë kushtet klimatike që ata të kthehen në treg.

Në ndërkohë drejtori Ceka thotë se kushtet janë ato që janë dhe nuk mund të intervenojnë për të përmirësuar këtë situatë, por vetëm se duhet që shitësit në këtë periudhë furnizimet ti bëjnë në bazë ditore. Ndryshe, Oda Tregtare e Maqedonisë kërkoi që të shfuqizohet Ligji për tregjet që hyri në fuqi më 1 janar, sepse problemet e tregjeve dhe të licencave janë aktuale në të gjitha tregjet e Maqedonisë dhe sipas tyre, ky ligj duhet të shtyhet ose të mos sillet assesi në këtë formë. (koha.mk)