Tetovë, 12 shtator – Shkolla fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë të Tetovës ka tanimë sallën e re dhe moderne të sportit, e cila përveç se do t’ju shërbejë nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle për të realizuar me dinjitet orët e mësimit nga lënda e sportit, njëkohësisht do të mund të shfrytëzohet edhe për aktiviteteve të tjera sportive pas përfundimit të orëve të mësimit. “Sigurisht, që këtë sallë përveç nxënësve do të mund ta shfrytëzojnë edhe banorët lokalë, për aktivitete rekreacioni,klubet dhe shoqëritë sportive dhe gjithë të interesuarit”, deklaroi ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ndërsa shtoi se qëllimi parësor i këtij investimi janë pa diskutim nxënësit.
“Investimi në ndërtimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, do të thotë investim në shëndetin e mirë mendor dhe fizik të të rinjve, kontribut në orientimin e duhur dhe në largimin e tyre nga veset e ditëve të sotme, të cilat për fat të keq janë të shumta dhe lufta kundër tyre nuk ndalet kurrë”, u shpreh ministri i Arsimit. Sipas tij, ndërtimi i sallave të reja të sportit dhe në përgjithësi të terreneve të sportit krijon mundësi dhe bazë për ngritjen dhe zhvillimin e sportistëve të rinj dhe reprezentativ të klubeve sportive dhe federatave nacionale të sportit, dhe me këtë edhe ambasadorë të rinj të sportit.
Me rastin e inaugurimit të sallës sportive të shkollë fillore “Rexhep Voka” në fshatin e Shipkovicës, ministri i Arsimit bëri të ditur se ky investim kap vlerën e rreth 24 milionë denarëve dhe është pjesë e Projektit për ndërtimin dhe pajisjen e 145 sallave sportive të shkollave fillore dhe të mesme që financohet me mjete nga Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës. Përmes këtij të cilit projekti deri më tani janë ndërtuar 70 salla sportive, ndërsa 15 të tjera janë në ndërtim e sipër. Salla sportive e shkollës në Shipkovicë, ka sipërfaqe prej 650 metra katrorë dhe është e pajisur tërësisht për disa sporte, si: futboll i vogël, hendboll, basketboll, volejboll, pingpong dhe gjimnastikë. Kështu, programet mësimore do të realizohen plotësisht dhe aktivitetet e nxënësve nuk do të realizohen më nëpër klasë. (koha.mk)