Çfarë ka bërë kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, gjatë mandatit dyvjeçar për Çairin, Shuto Orizare e Butelin. A do të vazhdoj edhe ai si paraardhësit ta anashkaloj Çarshinë e Shkupit dhe pjesën e vjetër të qytetit. Si mendon ta zgjedh problemin me parkingjet në Matkë. Kur do t’i kthehet shkëlqimi Kalasë së Shkupit… janë disa nga pyetjet të cilat Shilegovi përgjigjet për lexuesit e gazetës KOHA
Intervistoi: Omer XHAFERI
KOHA: Qytetarët e Shkupit pa dyshim kanë shumë probleme të përbashkëta, duke filluar nga ndotja e ajrit, higjiena dhe kaosi urban. Por, për dallim nga lagjet tjera urbane në qytet, banorët e pjesës veriore të kryeqytetit (Çairi, Shuto Orizarja, Buteli) ende ballafaqohen me probleme elementare. Cilët janë projektet të cilat administrata Juaj i realizoi në komunat në fjalë gjatë dy viteve të fundit aq sa jeni në funksion si kryetar i Shkupit?
SHILEGOV: Në territorin e këtyre komunave për momentin po ndërtohen tre bulevarde: Faza e dyte e projektit për depërtimin dhe ndërtimin e bulevardit “Hristijan Todorovski Karposh”, nga rruga “Natanail Kuçevishki”, e deri te qarkoja. Pastaj ndërtimi i bulevardit “Bosnja e Hercegovina”, nga udhëkryqi te bulevardi “Sllovenia”, deri te udhëkryqi mes rrugëve “Butelska” dhe “Kemal Sejfulla”, si dhe faza e parë e bulevardit “Nikolla Karev” (Rruga e Plastikave), nga Ura e Bit Pazarit e deri te kazerma e “Ilindenit”. Në mënyrë plotësuese, gjatë vitit 2019 u bë rikonstruimi i bulevardit “Kërste Petkov Misirkov”, nga Kompleksi i Gjykatave e deri te ura e Bit Pazarit, në gjatësi prej 1350 metra. Po ashtu, u rikonstrua edhe rruga “Indira Gandi”, në Shuto Orizare, në gjatësi prej 1100 metra. Pjesërisht u rikonstrua edhe rruga “Lazar Tërpkovski”, në Çair. Krahas rrugëve, gjatë këtyre dy viteve janë ndërtuar edhe dy parqe të reja në komunat në fjalë, më saktësisht parku në Fushë Tophanë dhe në rrugën “Dizhonska”, në Çair.
KOHA: Krenaria e çdo kryeqyteti në rajon dhe më gjerë është pjesa e vjetër e tij. Në rastin tonë, kjo nuk është ashtu. Monumentet e pavlera të projektit “Shkupi 2014”, e vendosin nën hije historinë dhe traditë e Çarshisë së Shkupit?
SHILEGOV: Çarshia është pjesë kulturore-historike e kryeqytetit dhe njëra prej pamjeve më të njohura të Shkupit. Qyteti i Shkupit në vazhdimësi ndërmerr numër të madh të aktiviteteve për promovimin e pasurisë kulturore të Çarshisë së Shkupit. Aktivitet tona në masë të madhe, konform kompetencave tona, janë në drejtim të mbështetjes së projekteve për provimin e Çarshisë, përmirësimin e kushteve të të njëjtës, si dhe përmes mbështetjes së zejeve të vjetra. Këtë vit janë paraparë mjete edhe përmes projektit ndërkombëtar ROK, me realizimin e më shumë aktiviteteve rreth Çarshisë.
KOHA: Pas Ohrit, statistikat tregojnë se Kanjoni i Matkës, është destinacioni më tërheqës turistik në vend. Mirëpo, higjiena e ulët dhe mungesa e vend-parkingjeve me vite paraqesin probleme esenciale në këtë lokacion atraktiv në Shkup. Si mendoni t’i zgjidhni këto probleme?
SHILEGOV: Matka paraqet njërin prej lokaliteteve më të vjetra dhe më të bukura në vend dhe po ashtu – njërën prej lokacioneve më të vizituara në shtet. Qyteti i Shkupit përsëri në kuadër të kompetencave të tij realizon numër të madh të aktiviteteve për përmirësimin e kushteve për vizitorët. Nga aspekti i tejkalimit të problemeve me parkimin, ne po përgatisim projekt me qëllim tejkalimin e të njëjtave. Sa i përket mbledhjes së bërllokut, përgjegjëse është Ndërmarrja Publike Komunale e Komunës së Sarajit, dhe për më tepër informacione duhet të drejtoheni tek ata. Në kuadër të kapaciteteve të Matkës, dhe kuptohet edhe për ruajtjen e rendit urban dhe bukurisë natyrore, si dhe parandalimin e uzurpimit të hapësirës, Qyteti i Shkupit, ishte institucioni i parë i cili alarmoi për platformat e egra në Matë dhe kërkoi largim të menjëhershëm të të njëjtave, si nga ana e Inspektoratit ndërtimor në Komunën e Sarajit, ashtu edhe nga Inspektorati shtetëror.
KOHA: Kalaja e Shkupit edhe në vitin 2019 ishte e “mbyllur” për vizitor. Kur fillon revitalizimi i Kalasë dhe vallë në vitin 2020, do t’i kthehet shkëlqimi të cilin e meriton?
SHILEGOV: Para disa muajve, në Muzeun Bashkëkohor të Artit, u hap ekspozita ‘Kalaja e Artit: Konkurs ndërkombëtar për përpunimin e ideve arkitektonike dhe urbanistike, me qëllim rregullimin e Kalasë”. Ky projekt, në të cilin është i kyçur edhe financiarisht i mbështetur nga Qyteti i Shkupit, është pjesë e ROCK projektit të financuar nga programi për hulumtim dhe inovacione “Horizo 2020” të Bashkimit Evropian, për revitalizimin e trashëgimisë kulturore në qendrat historike të qyteteve. Në këtë konkurs arritën 17 punime nga arkitekt dhe ekipe arkitektësh nga më shumë shtete, dhe të njëjtit ofruan skenarë dhe vizione të cilët përmes vendosjes së përmbajtjeve të ndryshme, shtigjeve dhe parqeve, Kalaja shekullore dhe Muzeu Bashkëkohor i Artit do të fitojnë mundësi të mirë për qasje më të madhe të publikut, dhe njëkohësisht Kalaja do të shndërrohet në atraksion të fuqishëm turistik dhe zonë rekreative me pamjet më të bukura të luginës së Shkupit.
KOHA: Qentë endacak ende po sulmojnë nëpër shumë rrugë të qytet. Premtim Juaj parazgjedhor ishte se do të zgjidhni këtë problem. Duke e pasur parasysh situatën aktuale, a pajtoheni se në praktikë keni dështuar në zgjidhjen e këtij problemi të përditshëm të qytetarëve?
SHILEGOV: Qyteti i Shkupit punon në zgjidhje sistemore të këtij problemi me qentë endacak, ku në bashkëpunim me institucionet tjera shtetërore – punojmë në të gjitha sferat të cilat lidhen me këtë materie komplekse. Gjatë periudhës së kaluar, qendra “Vardarishte” kaloi në kompetenca të Ndërmarrjes së re Publike “Llajka”. Kjo ndërmarrje në tërësi do t’i merr përsipër aktivitetet për kapjen e qenve endacak, testimin, pastrimin nga parazitet e brendshëm dhe të jashtë, sterilizimin/kastrimin, kujdesin veterinar, mikroçipin dhe shënim në vesh, mjekimin, si dhe procedurat për dhurim të të njëjtëve nga qytetarët e interesuar. Sa i përket qendrës “Vardarshite”, gjatë periudhës së kaluar filloi rikonstruimi i plotë i saj, në të dy objektet, me demontimin e bokseve ekzistues të metalit, rikonstruimin e tavanit, vendosjem e izolimit dhe fasadën të cilën asnjëherë nuk e ka pasur. Arritëm në objektin ekzistues – përveç ambulancës për veterinar, të fitojmë edhe pjesë administrative për kuadrin që të mund të punojnë në kushte të volitshme. Paralelisht po pastrohet edhe rrethina ku parashihet parku për qen, terrenet për risocializim të qenve të traumatizuar dhe rrugë të re deri në “Vardarshte”. Po ashtu, do të rriten e kapacitet e bokseve të brendshme nga 81 në 100 apartamente për qentë endacak me ngrohje qendrore, respektivisht 60 bokse të jashtme.
KOHA: Pushteti i kaluar qendror ishte mbështetësi kryesor i politikave të Qytetit të Shkupit. Administrata Juaj ka gati një vit që e ka inicuar procedurën për themelimin e Policisë Komunale, por evidente është se Qeveria ende nuk ka shqyrtuar këtë kërkesë. Pse po zvarritet themelimi i Policisë Komunale?
SHILEGOV: Ne mbetemi në përpjekjet për formimin e Policisë Komunale, më saktësisht si pjesë e transferimit të kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal, për të cilin është diskutuar edhe në seancën e BNJVL-së, në fillim të dhjetorit. Me formimin e Policisë Komunale, do të rriteshin kompetencat e inspektorëve komunal dhe shërbimeve të kujdesit, e me këto do të përmirësohej dhe funksionimi i tyre në vendosjen e rendit komunal (më tepër efikasitet në sanksione, parandalim të krijimit të deponive të egra e kështu me radhë). Qyteti i Shkupit propozim-vërejtjet i ka dorëzuar deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe nëse të njëjtat pranohen nga të gjitha palët, atëherë ata do të shndërrohen në Ligj të ri i cili do të duhet të miratohet nga ana e Parlamentit.
KOHA: Tramvaji është projekt të cilin e kanë paralajmëruar shumë kryetar të Shkupit, por asnjëri nuk e ka realizuar. Vallë, edhe ju do të përfshihen në këtë grup, apo do ta realizoni të njëjtin?
SHILEGOV: Qyteti i Shkupit në periudhë e kaluar, përpos transportit publik me autobusë, ka punuar edhe në projekte tjera për vendosjen e mënyrave të reja të transportit publik. Meqë bëhet fjalë për projekt gjigant kapital, për të cilin nevojiten mjete të shumta financiare, të cilat ne nuk mund t’i mbulojmë vetvetiu, gjatë periudhës së kaluar është punuar në informacione dhe analiza të përshtatshme për marrjen e mbështetjes nga ana e Qeverisë. Për këtë qëllim, Qyteti i Shkupit përgatiti informacion të detajuar për gjendjen dhe nevojat e transportit publik në Shkup, para se gjithash në drejtim të fitimit të mjeteve financiare. Ky informacion ishte lëndë e analizës pranë Këshillit Ekonomik të Qeverisë. Para disa javësh, Qeveria e RMV-së e shqyrtoi dhe e miratoi këtë informacion, ku parashihet vendosja e BRT-së (BusRapidTransit) në territorin e Qytetit të Shkup, i cili paraqet vendosjen e korridoreve të rezervuar për kapacitet e autobusëve me fuqi elektronike apo hibride (autobusë me gaz dhe elektromotor). Hapi i radhës i takon Ministrisë së Financave, e cila duhet ta fillojë procedurën me letër për qëllimet deri te Banka Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim, për mbështetjen e fizibiliti studimit, si dhe për opsionet e mundshme të financimit të këtij projekti.