Shkup, 14 dhjetor – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov sot vlerësoi se është e motivuar politikisht nisma e Fejsbukut përmes së cilës prindërit paralajmërojnë se nuk do t’u lejojnë fëmijëve të shkojnë në shkollë në shenjë revolte kundër ndotjes së ajrit në Shkup.
“Mendimi im personal është se një pjesë e mirë e të ashtuquajturës nismë e qytetarëve është blef politik e politikës populiste të imët që e krijoi VMRO-DPMNE-ja në periudhën e kaluar, ndërsa pasojat e frikshme të së cilës i ndjejmë pikërisht tani. Informacionet e mia janë se ajo është e motivuar politikisht me qëllim që të diskreditohet edhe pushteti lokal dhe qendror në luftën kundër ndotjes”, tha Shilegov duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, përpara diskutimit të sotëm për zhvillimin e qasjes së integruar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në suaza të projektit të USAID-it për shoqëri civile.
I pyetur për mundësinë për fillimin e parakohshëm të pushimit dimëror të nxënësve, Shilegov theksoi se kjo nuk është nën kompetencat e tij, por se kryetari i Shkupit është i gatshëm t’i ndërmerr të gjitha aktivitet të cilat mund të kontribuojnë për mbrojtjen, para se gjithash, të fëmijëve.
Siç theksoi, Qyteti i Shkupit tashmë është duke punuar dhe pritet gjatë janarit një pjesë e shkollave të mesme të jenë me filtra të ajrit në klasa me çka shkollat do të jenë me mjedis më të shëndetshëm për fëmijët.
Sipas tij, Shkupi është duke e paguar llogarinë për moskujdesin disavjeçar dhe joserioz për mjedis të shëndoshë jetësor.
Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli tha se nevojitet qasje e integruar dhe e koordinuar e të gjithë faktorëve prej të gjithë sektorëve së bashku me idetë e organizatave qytetare, por edhe me sjelljen e këtyre organizatave dhe qytetarëve në përgjithësi. Kërkoi marrëdhënie partneriteti dhe aksion të përbashkët të koordinuar në ballafaqimin me ndotjen.
Sipas, Eduard Gonzales, drejtor i zyrës për zhvillim të USAID-it ndotja është problem kompleks i cili kërkon edhe qasje multidiciplinore.