Shilegov: Shkupi qytet funksional për ngasje të sigurt të biçikletave

Shkup, 31 janar – Kryetari Petre Shilegov u drejtua në konferencën ndërkombëtare ” Zhvillimi i mobilitetit urban për një qytet të qëndrueshëm dhe qytet në të cilin jetohet me cilësi” të organizuar nga Qyteti i Shkupit në kuadër të projektit CREATE, i mbështetur tërësisht nga Programi i BE-së Horizon 2020.

Në fillim të fjalës së tij, kryetari Shilegov theksoi rëndësinë e projektit trevjeçar në mbështetje të administratës së qytetit, që Shkupin ta bëjë qytet në të cilin interesi për mjedisin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve do ta tejkalojë çështjen e dendësisë së trafikut.

Duke pasur parasysh se qyteti i Shkupit është në Fazën 1, ku politikat e qytetit kanë krijuar një qytet të orientuar drejt mundësisë të më shumë kushteve për automobilat përmes adaptimit të infrastrukturës dhe duke investuar në parkingje të reja, para meje si kryetar është një nga sfidat më të mëdha. Qytetin e Shkupit ta bëjmë qytet funksional në të cilin do të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët, sidomos duke inkurajuar ndryshimin në mënyrën e transportit nga udhëtimet me automobila në udhëtime me lloje të qëndrueshme të transportit – theksoi Shilegov.

Në fjalën e tij, kryetari Shilegov iu referua edhe aktiviteteve për të cilat angazhohet Qyteti, e të cilat do të kontribuojnë në inkurajimin e qytetarëve për përdorim më të madh të biçikletave. Kjo përfshin investim në hapësirat për parkimin e biçikletave, shtigje për biçikleta  dhe rampa  për qasje në hapësirat e paarritshme publike, ndarje fizike të shtigjeve të biçikletave dhe sinjalistikë përkatëse.

 

– Shëtit qytetin pa automobil është deviza jonë, dhe në këtë drejtim trafiku i çiklizmit do të jetë pjesë e zgjidhjes së re sistemore, ekologjike dhe moderne të transportit urban. Biçikleta si mjeti kryesor i transportit, si dhe transporti i kombinuar për reduktimin e bllokimit të trafikut, janë imperativ për mjedis jetësor të shëndetshëm dhe funksional – tha Shilegov.

Në fund të fjalës së tij, kryetari theksoi se me politikat e parapara të qytetit në fushën e transportit, pritet që i njëjti të shkarkohet, funksionaliteti të rritet, ndërsa qytetarët të kenë më shumë hapësirë ​​për ecje dhe ngasje të sigurt të biçikletave.

CREATE ose “Congestion Reduction in Europe – Advancing Transport Efficiency ” është projekt për përballje me bllokimet e trafikut urban në rrugë. Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i bllokimit të trafikut në qytetet evropiane duke nxitur ndryshime në transport, nga  përdorimi i automobilave drejt përdorimit të llojeve tjera të transportit, si transporti publik, transporti me biçikleta dhe ecje.

Në konferencën ndërkombëtare në temën “Zhvillimi i mobilitetit urban për një qytet të qëndrueshëm dhe qytet me jetesë cilësore” mori pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva.