Omer XHAFERI
Shkup, 19 dhjetor – Me 26 vota pro, një të përmbajtur dhe asnjë kundër, të martën u miratua Buxheti i Qytetit të Shkupit, për vitin 2018, i cili sipas kryetarit të Petre Shilegov, do të jetë për 10 për qind më i vogël se buxheti i vitit 2017, shkruan gazeta KOHA. Gjatë miratimit të këtij buxheti, në sallën e Këshillit nuk morën pjesë këshilltarët nga radhët e VMRO-së. Buxheti bazë prej 70 milionë euro, siç u tha të martën, kryesisht do të përqendrohet në përmirësimin e mjedisit jetësor, me theks të veçantë në ndërtimin e hapësirave të gjelbërta, izolimin e ndërtesave të shkollave të mesme… e kështu me radhë. Praktika e deritanishme e mungesës së investimeve të barabarta kapitale në të gjitha komunat e Qytetit të Shkupit, siç tha Shilegov, nuk do të përsëritet më.
“Medoemos duhet të ndalojmë me ndarjen e qytetit, në komuna shqiptare apo maqedonase. Unë jam kryetar i të gjithëve qytetarëve të Shkupit, qyteti është një tërësi dhe aspak nuk duhet që komunat të ndahen në formë etnike, përderisa aty jetojnë banorë të nacionaliteteve të ndryshme. Gjatë fushatës parazgjedhore e kam theksuar se qasja ime do të jetë e barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, dhe ndarje si në të kaluarën nuk do të ketë. Me rëndësi për mua është që kryeqytetit të zhvillohet një si koncept i plotë, respektivisht mos të jetë një qytet, i cili i ndanë qytetarët, por një që i bashkon”, tha kryetari Shilegov. Komponenta zhvillimore e Buxheti të ri të Qytetit të Shkupit është bazuar në projektimin e dokumentacionit, e cila deri më tani nuk ka ekzistuar, për ndërtimin e projekteve të infrastrukturës bazë për Qytetin e Shkupit. Në pjesën veriore të Shkupit, gjatë vitit të ardhshëm pritet të investohet në rrugët “Makedonska Kosovska Brigada” dhe “Bosnia Hercegovina” e cila Çairin dhe Butelin do ta lidh me Bulevardin “Sllovenia”.
Njëkohësisht, gjatë vitit të ardhshëm pritet të fillojë ndërtimi i sistemit për ujësjellësin, i cili do ta lidhë Butelin me Gazi Babën dhe fshatrat tjera përreth. Më tej, në pjesën perëndimore të Shkupit, në Gjorçe Petrov dhe Saraj, sipas planifikimit të Buxhetit për vitin 2018, po ashtu do të ndërtohet sistem i ri ujësjellësit. Deri në fund të mandatit të tij, Shilegov theksoi se problemet me kanalizimin dhe ujësjellësin në kryeqendër do ti takojnë të kaluarës. Në bashkëpunim me Agjencinë për Rrugë të Maqedonisë, nga Qyteti i Shkupit nënvizuan se në pranverë të vitit 2018, pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e Rrugës së Plastikave dhe zgjerimin e saj. Qëllimi është që kjo rrugë minimum të ndërtohet deri në hyrje të Vizbegut dhe rrethinës. (koha.mk)