Christian Panucci e “mbushi kupën”. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e humbi durimin mbas humbjes së mbrëmshme me Turqinë, duke mos pritur më gjatë për të ndërhyrë. Pasi e rikonfirmoi mes mjaft dyshimesh në fund të eliminatoreve të Ligës së Kombeve, një fushatë tejet negative dhe zhgënjyese për kuqezinjtë tanë, kreu i futbollit shqiptar e kuptoi më në fund e nuk vazhdohet në këtë mënyrë. I ka dhënë dorën ish-lojtarit të njohur me skuadra të tilla si Roma, Milan, Real Madrid etj, duke e ndërprerë bashkëpunimin dhe kontratën me të.
Sikurse dihet, Panucci u emërua trajner i Shqipërisë në korrik 2017, duke zënë vendin e bashkatdhetarit të vet, De Biasi. Ky i fundit dha dorëheqjen pas fitores 3-0 në Izrael, duke e parandier në njëfarë mënyre “rënien e lirë” të kuqezinjve. Fundja, shkuarja në finalet e “Euro 2016” ishte kulmi i kulmeve, diçka historike, ndaj nuk mund të arrinte më shumë 62-vjeçari nga Sarmede.
Duka i besoi entuziasmit dhe seriozitetit si njeri të Panuccit, por ky i fundit nuk kishte eksperiencë si trajner. Këtë boshllëk e vuajti gjatë tërë drejtimit të Shqipërisë, edhe pse pati mjaft kohë për të eksperimentuar e vënë pikat mbi “i”.
Përplasjet me lojtarët, sikurse ishte rasti i fundit me Strakoshën dhe Lenjanin, por sidomos zhgënjimi i mbrëmshëm, i shoqëruar me kontestime të forta nga tifozët kuqezinj, i ka vënë vulën gjithçkaje. Sot ka ardhur zyrtarizimi i “divorcit”, që u përfol shumë në mbyllje të eliminatoreve të Ligës së Kombeve, por u shty në kohë për shkak se Duka vendosi ta “votëbesojë”.
Gjatë drejtimit të tij, kombëtarja jonë ka luajtur 15 ndeshje, nga të cilat 6 prej tyre miqësore. Nga ky total sfidash, kuqezinjtë kanë regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje. Panucci debutoi në ndeshjen kualifikuese të 2 shtatorit 2017, me fitoren 2-0 ndaj Liechtenstein dhe e mbylli me humbjen e mbrëmshme, ndaj Turqisë. Golaverazhi i kombëtares nën drejtimin e italianit është tejet negativ: 9 gola të shënuar dhe 25 të pësuar.