Claressa Shileds planifikon të dëshmojë se është boksierja më e madhe e të gjitha kohërave, kur të shtunën mbrëma do të përballet me Christina Hammerin në Atlantic City. Të dyja janë të pamposhtura, ndërsa përballja mes tyre po vlerësohet lufta më e madh në histori të boksit të femrave. Amerikania Shields ka titujt e botës në versionet WBC, WBA dhe IBF në peshën e mesme, ndërsa gjermania Hammer ka titullin tjetër të madh WBO. Meçi do të jetë për unifikim të të gjithë titujve të mëdhenj.
“Fitorja do të dëshmoj se jam boksierja më e mirë e të gjitha kohërave. Unë nuk po e them këtë vetëm se jam shumë kryelart, por për të qenë më e madhja duhet të bësh gjëra të mëdha”, u shpreh 24-vjeçarja, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”, përcjell gazeta Koha.
Amerikania, që ka fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë e mesme në “Londra 2012” dhe “Rio 2016”, thotë se është e vendosur që të bëhet kampione e padiskutueshme në meçin e saj të nëntë në boksin profesionist.
“Unë do ta mposhti atë. Ajo është boksiere e mirë, por nuk është boksiere e madhe, ka të meta, por nuk janë ekspozuar ato, pasi kundërshtaret e saj kanë qenë vajza që ndoshta nuk mund as të vrapojnë një milje në shirit vrapimi”, ka deklaruar Shields.
Hammer 28-vjeçare mban titullin WBO që nga tetori i vitit 2010. “Është ndjenjë e madhe dhe është mundësi e madhe për t’i treguar botës një boks të madh dhe se femrat mund të jenë të forta dhe sportive. Do të jetë një ndryshim për boksin e femrave”, ka thënë Hammer, që ka fituar 24 meçet e deritashme në boksin profesionist.
Edhe promotori Dmitriy Salita ka thënë se faza para meçit ka mbushur të gjitha kushtet për ta quajtur këtë përballjen më të madhe në histori të boksit të femrave. “Ky është meçi më i madh në histori të boksit të femrave. Po ndihet kjo gjë sot dhe jam i sigurt se pas një muaji apo një viti, ky meç do të njihet si një ngjarje historike”, ka thënë Salita.