Organizata Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin e sotëm vetëvrasës në qytetin afgan Kabul, me çka, sipas të dhënave të fundit, humbën jetën gjashtë persona, ndërsa 20 ishin plagosur.
“Një sulmues vetëvrasës me bombë i veshur me jelek me eksploziv sulmoi një tubim të shiitive në afërsi të pallatit të presidencës”, theksohet në kumtesën e SHI-së.
Përfaqësuesi i Ministrisë afgane të Punëve të Brendshme kumtoi se së paku gjashtë persona humbën jetën gjatë një sulmi vetëvrasës me bombë gjatë një proteste për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend, të mbajtur në afërsi të një shkolle, në pallatin e presidencës dhe në një nga hotelët më luksoz në Kabul.
Sipas burimit të njëjtë, numri më i madh i viktimave gjatë sulmit ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Pjesëmarrësit e protestave kërkonin dërgimin e numrit shtesë të pjesëtarëve të forcave të sigurisë në zonat Zaguri dhe Malistan në provincën Gazni, në të cilën shumica e banorëve janë pjesëtarë të Hazarëve shiitë. Deri para pak kohe, këto dy rajone konsideroheshin si më të sigurta, por javën e kaluar kryengritësit taleban kryen një varg sulmesh në ato zona.
Në disa sulme dhe përleshje me talebanët në 48 orët e kaluara jetën e humbën mbi 60 pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë.