SHGM: Të tërhiqet akuza kundër Kezharovskit

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot në konferencë për shtyp kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike që ta tërheqë akuzën, ndërsa nga Gjykata Penale që ta hedhë poshtë akuzën kundër gazetarit Tomisllav Kezharovski.

Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski kumtoi se sot në mëngjes e kanë shqyrtuar vendimin e Gjykatës Supreme për lëndën e Kezharovskit dhe njëzëri kanë vendosur se SHGM-ja deri në fund do të insistojë për drejtësi të Gjykatës dhe Prokurorisë në veprimin për këtë rast derisa Kezharovski nuk lirohet nga akuza.

“Në vitet e kaluara SHGM-ja vazhdimisht ka dhënë mbështetje për Kezharovskin dhe këtë qëndrim parimisht do ta mbrojmë derisa nuk përmbushet drejtësia. Për këtë kërkojmë PTHP-ja ta tërheqë akuzën kundër kolegut Kezharovski, i cili ishte paditur në mënyrë të padrejtë, ndërsa pastaj edhe ishte dënuar. Me një veprim të tillë PTHP-ja do të tregojë se përfundimisht vendos në mënyrë të pavarur dhe të paanshme në interes të drejtësisë”, tha Çadikovski.
Duke pasur parasysh se Gjykata Supreme e ktheu lëndën për vendosje të sërishme, SHGM-ja i bën thirrje edhe Gjykatës Penale në Shkup që ta hedhë poshtë akuzën dhe me këtë të tregojë se në shtet liria e shprehjes është e garantuar si e drejtë themelore e njeriut.

Sipas Çadikovskit, kjo paraqet mundësi të shkëlqyer për PTHP-në dhe Gjykatën Penale që të demonstrojnë drejtësi dhe përfundimisht, siç tha, t’i japin fund një lënde të gjatë dhe të padrejtë që udhëhiqet kundër gazetarit dhe zëvendësdrejtorit deri para pak kohësh të SHGM-së, Tomisllav Kezharovski.

Kezharovski ishte akuzuar për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, megjithatë opinioni e di se ai në shkrimet e tij nuk e zbuloi identitetin, ndërsa pastaj në procedurë u tregua se dëshmitari i mbrojtur ishte i rremë. Me këtë, siç tha, Çadikovski shihet qartë se lënda e tij ishte e montuar me qëllim që të shuhet kritika e tij.

Kezharovski shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme të cilën e kishte marrë nga SHGM-ja, që nga fillimi i procesit e deri më sot.

“Me avokatin Filip Medarski presim në këtë rast gjykim korrekt në të cilin do të mundemi që deri në fund t’i theksojmë të gjitha dëshmitë tona për atë se nuk e kamë bërë veprën për të cilën jam akuzuar dhe dënuar”, theksoi Kezharovski.(koha.mk)