Shkup, 28 mars – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dënuar ashpër kërcënimet që dje i bëri njëri nga prokurorët e Këshillit etik të Maqedonisë gazetarit të televizionit Alsat-M. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani thotë se do të kërkojnë shkarkimin e tij, pasi siç u shpreh ai, kërcënimi është i pa denjë dhe qyqar, njofton Koha. “Më lejoni që në mënyrë të ashpër të dënojë këtë sjellje të papërgjegjshme të një prokurori i cili e ka emrin Bari Shabani, i cili në mënyrë brutale kërcon verbalisht një gazetar. Unë nga përvoja e di se gazetarët i kërcënojnë qyqarët dhe ata që kanë hendikep intelektual që të përballen me kritikat e gazetarëve në opinion. Unë mendoj se kjo sjellje e pahijshme, fatkeqësisht e këtij prokuroi, e bën të padenjë të ushtrojë funksionin e prokurorit. Ne do të kërkojmë nga Këshilli i prokurorëve, do të kërkojmë nga të gjithë institucionet që janë përgjegjëse për punën e prokurorëve, të ngrenë procedurë për shkarkimin e këtij personi”, tha Selmani. Ai njëherësh fton gazetarët të mos kenë frikë nga kërcënimet e tilla dhe të vazhdojnë të punojnë për të informuar drejtë dhe saktë opinionin. “Është një primitivizëm institucional, i cili neve na shqetëson shumë. Institucionet në vend që të mbrojnë gazetarët, ata paraqiten në rolin e banditëve. Kjo sjellje nuk guxon të tolerohet nëse ne vërtetë dëshirojmë të jemi shoqëri e hapur demokratike dhe integruar në Evropën e lirë dhe të bashkuar. Unë dëshiroj të ftoj kolegët e mi që të mos kenë frikë nga këta njerëz të pafuqishëm, njerëz të dëshpëruar… të cilën shpresojnë se me kërcënime të tilla, mund tua mbyllin gojën kolegëve të mi. Unë kam besim shumë tek kolegët se ata nuk do të bien pre e këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të informimit të lirë dhe të drejtë të qytetarëve”, u shpreh ai. (Koha.mk)