Shkup, 8 mars – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë falënderon administratën amerikane për Raportin, siç thuhet në njoftim, objektiv për lirinë e fjalës në Maqedoni, ku konstatohet se këto liri janë cenuar për shkak të trysnisë së vazhdueshme të qeverisë ndaj mediave. “Uashingtoni njeh burimet e krizës në mediat maqedonase, siç janë politika e mosndëshkimit të dhunës kundër gazetarëve dhe shpërdorimi i parasë publike nga qeveria për të kontrolluar median. Në Raport, amerikanët flasin për sulmet e shpeshtuara kundër gazetarëve, duke filluar nga sulmet fizike deri të kërcënimet për jetën e gazetarëve, ku janë përshirë edhe bartës të funksioneve publike. Shqetëson fakti që asnjë prej këtyre sulmeve nuk është zbardhur nga institucionet. Vëmendje të veçantë Raporti i kushton shpërdorimit të parasë publike nga qeveria për të heshtur dhe instrumentalizuar median. Përkundër moratoriumit të fushatave qeveritare në vitin 2015, në Raport theksohet se kjo masë nuk i ka përfshirë edhe institucionet publike dhe private të lidhura me VMRO-DPMNE”, thuhet në njoftimin e SHGM-së. Lidhur me Radiotelevizionin e Maqedonisë, theksohet shpërdorimi i tij për promovimin e partisë në pushtet, e cila është pjesë e politikës së koordinuar editoriale me tre televizione më të shikuara private. “Vend të rëndësishëm në raport zë edhe fushata sistematike kundër gazetarëve nga pushteti përmes padive për shpifje dhe lustrimit. Ky lloj presioni ilustrohet me rastin e lustrimit të kryeredaktorit të javores Fokus, Jadranka Kostova dhe padisë për shpifje nga BDI kundër kryeredaktorit të gazetës Lajm, Isen Saliu. Ky raport konfirmon relevancën e qëndrimeve të SHGM të cilat vazhdimisht i ka prezentuar në publik. Ata janë gjerësisht të përdorura si argumente për përshkrimin e gjendjes së vështirë të mediave”, thuhet në njoftimin e SHGM-së.