Shkup, 28 dhjetor – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka përshëndetur marrëveshjen mes pushtetit dhe opozitës për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediale. Ata konsiderojnë se ndryshimet do të kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira për punë për transmetuesit në Maqedoni, por ka shprehur shqetësim rreth përmbajtjes së nenit 102 që i referohet ndalesës për reklamim me para publike.
Në vend të një dispozite të qartë me të cilën do të ndalohet shpenzimi i parave publike në media, në këtë nen, shton Shoqata, thuhet se “institucionet nuk do të parashohin mjete në buxhetet për shpenzime në media”.
“Paralajmërojmë se kjo dispozitë mund të keqpërdoret në të ardhmen, institucionet të mos parashohin mjete për mediat në buxhetet e tyre, por mund t’i destinojnë nga burime tjera, me qëllim t’i investojnë në media të ndryshme”, thekson SHGM.
Sipas SHGM-së, modeli i ri i zgjedhjes së organeve menaxhuese dhe sistemi i financimit të RTVM-së dhe rregullatorit medial do të ulë ndikimin politik ndaj institucioneve kyçe në sektorin medial dhe do të kontribuojë në pavarësimin dhe profesionalizimin e tyre më të madh.
Shoqata ka vlerësuar se heqja e subvencionimit qeveritar për produksionin vendor në televizionet private kombëtare dhe ulja e kuotës për produksionin e transmetuesve do të kontribuojë të ndërpriten lidhjet klienteliste mes mediave dhe pushtetit dhe të ndalohet mundësia eventuale për ndikim ndaj politikës redaktuese të mediave.
Me ndryshimet e reja, dënimet për mediat zvogëlohen dhe bëhet pjesërisht proporcionale, ndërsa zvogëlohet edhe tarifa për leje për të gjithë transmetuesit.
“Ky ligj është vetëm fillimi i reformave të paralajmëruara në sektorin medial, por vetëm nëse implementohet në mënyrë adekuate dhe shmangen disa nene të paqarta. Presim edhe vendime tjera ligjore me rëndësi, që veç më është thënë nga bashkësia e gazetarëve dhe mediave që sa më shpejtë të miratohen”, theksojnë në SHGM.