Shkup, 22 janar – Gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte të pasigurta, rrihen, rrëmbehen dhe ofendohen, ndërsa institucionet nuk arrijnë të ndëshkojnë asnjë nga dhunuesit, tregon raporti për gjendjen me lirinë e mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Maqedoni për vitin 2017.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Naser Selmani, në prezantimin e raportit, theksoi se vitin e kaluar janë regjistruar gjithsej 18 sulme të reja ndaj gazetarëve, prej të cilëve 13 fizike dhe verbale, ndërsa pesë të tjerët janë fyerje, pengesa gjatë punës dhe shkatërrim të pronës së gazetarëve.
“Ky hulumtim përveç vullnet të shfaqur politik të Qeverisë dhe gatishmërisë së ministrit të ri të Punëve të Brendshme të punojë me ne dhe t’i ndriçojë të gjithë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, zhvillim tjetër pozitiv nuk shohim. Mund të thuhet se ka një përmirësim në mënyrën e raportimit të mediave, por kjo është më shumë nga ajo që u ndërpre presioni ekonomik nga pushteti, dhe ky është një sinjal pozitiv”, deklaroi Selmani.
Theksoi se përmirësim i vogël në reagimin e policisë, e cila tani shpejt po i identifikon sulmuesit dhe inicon kallëzime penale dhe kundërvajtëse, megjithatë lëndët bllokohen në Prokurori edhe asnjëri nga dhunuesit nuk është nxjerrë para drejtësisë.
Si sulm më brutal fizik të gazetarëve vitin e kaluar, Selmani e theksoi 27 prillin, kur ithtarë të VMRO-DPMNE-së me dhunë hynë në Kuvend. Për këtë rast, vazhdoi ai, Prokuroria Publike formoi lëndë dhe është konfirmuar identiteti i kryerësve, por për fat të keq ata ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
“Kjo është pasqyra e vërtetë për kujdesin e pushtetit të ri. Nëse dëshirojnë të dërgojnë mesazh të qartë se për ta është e rëndësishme liria e shprehjes dhe mediave, së pari çka duhet të bëjnë është që të fillojnë t’i dënojnë dhunuesit të cilët sulmojnë gazetarë. Pa këtë ne ende nuk mund të konfirmojmë se qeveria e re seriozisht është e interesuar për përmirësim të gjendjes së mediave”, deklaroi Selmani.
Raporti, gjithashtu, tregon se gazetarët punojnë në kushte ekonomike jashtëzakonisht të këqija, kanë paga të vogla dhe jo të rregullta, ndërsa nuk kanë as marrëveshje për punësim të përhershëm.
“Sipas hulumtimit të SPGM 45 për qind e gazetarëve kanë paga më të ulëta nga mesatarja në Maqedoni, ndërsa shumicës u vonohen pagat. nuk ka përmirësim as të legjislacionit, i cili nuk është harmonizuar tërësisht me praktikat më të mira evropiane”, deklaroi Selmani.
Raporti është përpiluar me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian në kuadër të Platformës rajonale të Ballkanit Perëndimor për përfaqësim të lirisë së mediave dhe mbrojtjes së gazetarëve.