Shkup, 8 maj – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh pakënaqësi nga mënyra se si Gjykata Civile në Shkup dhe Gjykata e Apelit në Shkup, zbatojnë Ligjin për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje. Pavarësisht dispozitave të qarta të ligjit, të cilat rregullojnë përgjegjësinë e publikimeve elektronike, këto gjykata vazhdojnë t’i refuzojnë paditë për shpifje dhe fyerje kundër mediave onlajn.
Me sqarim shumë joserioz dhe tendencioz se ato nuk janë media, ndërsa njerëzit që punojnë aty nuk janë gazetarë. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe joprofesionale e disa gjykatësve do të thotë tentim për të licencuar mediat dhe gazetarët, që paraqet praktikë jodemokratike në vendet me regjime autoritare.
Kryetari i SHGM-së Naser Selmani në konferencën e sotme për shtyp tha se kjo dukuri, për të cilën tha, për fat të mirë nuk është te Gjykatat tjera të Apelit në vend, e kanë vërejtur edhe më herët, por kanë konsideruar se përmes mbledhjeve me gjykatat do t’i bindin ta ndryshojnë ose harmonizojnë praktikën gjyqësore me gjykatat e tjera të Apelit.
“Por këto ditë kemi marrë vendim të ri të Gjykatës së Apelit dhe jo vetëm që deri tani kanë bërë përpjekje t’i diskreditojnë online mediat si jomedia, por ky aktgjykim i ri – njerëzit të cilët punojnë në këto media i trajton si jogazetarë. Kjo praktikë është absolutisht e papranueshme sepse është përpjekje të licencohen mediat. Nuk është puna e gjykatës të tregojnë se kush është medium dhe kush gazetar. Ligji për përgjegjësi qytetare është shumë i qartë dhe ata duhet ta zbatojnë atë ligj. Qëllimi i tyre dukshëm është se duan të krijojnë perceptim të tillë në opinion se këto media punojnë jashtë ligjit, që nuk është e saktë. Ligje ka vetëm duhet të zbatohen”, theksoi Selmani.
Dyshojnë se pas kësaj sjellje të Gjykatës Civile në Shkup dhe të Gjykatës së Apelit, ka prapavijë politike, e cila duhet t’i diskreditojë online mediat dhe të sigurojë alibi të rrejshme për qeverinë që të imponojë rregullim më të ashpër ligjor, në kundërshtim me standardet evropiane për lirinë në internet.
Paralajmërojmë se përpjekjet e qarqeve të caktuara politike, të cilët kërkojnë regjistrim ligjor të online mediave është lojë e rrezikshme politike, e cila ka për qëllim që shteti ta kontrollojë përmbajtjen e këtyre mediave. Përveç kësaj, qëllimi i gjykatës është t’i parandalojë online mediat dhe gazetarët të cilët punojnë në këto media t’i shfrytëzojnë përfitimet që i ofron ligji për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje, lidhur me dëmshpërblimin jomaterial dhe bazat për përjashtimin nga përgjegjësia për shpifje, tha Selmani.
Kërkojmë nga Gjykata Supreme në Maqedoni të veprojë sa më shpejt për kërkesën e SHGM-së për harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe në të ardhmen Gjykata Civile dhe Gjykata e Apelit në Shkup të veprojnë për paditë për shpifje dhe fyerje. Këtë javë do të dërgojmë ankesë deri në Këshillin Gjyqësor për të gjithë gjyqtarët që praktikojnë ligjin në mënyrë selektive me qëllim që të caktohet përgjegjësi për sjelljen e tillë joligjore.