Shkup, 31 janar – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dënuar fuqishëm reagimin e Ambasadës turke në Shkup, e cila gazetën “Zaman-Maqedoni”, që botohet në Maqedoni, e ka quajtur buletin terrorist të FETO-s. “Për një gazetë që po del për 25 vjet në Maqedoni të thuhet se është një buletin terrorist i ndonjë organizate, është thirrje skandaloze për linçim të atyre që nuk mendojnë njëjtë.
Presim që edhe institucionet e tjera shtetërore do ta dënojnë këtë akt, i cili ka për qëllim ngufatjen e mendimit të lirë. Inkurajojmë kolegët e “Zaman-Maqedoni” të vazhdojnë me punën e tyre dhe u ofrojmë mbështetje të mëtejshme në drejtim të informimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për presionet që kjo redaksi po përballet gjatë punës së saj në Maqedoni “, – thuhet në deklaratën e SHGM-së. Reagimi i Ambasadës Turke në Shkup ndodhi pas njoftimit publikisht se gazeta Zaman-Maqedoni fitoi mbështetjen financiare nga Qeveria në kuadër të projektit për mbështetjen e medias së shkruar.