Uashington, 17 shkurt – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i paguajnë mbi 200 milionë dollarë Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri në fund të muajit shkurt, kumtoi sekretari i Shtetit të SHBA-së, Entoni Blinken.
“Ky është hap kyç përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si anëtare e OBSH-së dhe pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar mbështetjen e nevojshme të OBSH-së për udhëheqjen e përgjigjes globale ndaj pandemisë”, tha Blinken, në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.
“SHBA besojnë se multilateralizmi, KB-ja dhe OBSH-ja janë të rëndësisë thelbësore, jo vetëm si një përgjigje efektive shëndetësore ndërkombëtare dhe humanitare ndaj Kovid-19, por gjithashtu edhe për ndërtimin e mjediseve shëndetësore globale dhe të sigurisë për të ardhmen”, tha Blinken.
Blinken theksoi se kjo gjithashtu pasqyron angazhimin e ripërtërirë të SHBA-së për të siguruar mbështetjen e nevojshme për të menaxhuar me krizën pandemike.
SHBA-ja, e cila ka qenë donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shumë vite, u largua nga OBSH-ja vitin e kaluar gjatë mandatit të Donald Trampit. Ndërkaq presidenti i SHBA-së Xho Bajden, muajin e kaluar e tërhoqi vendimin për t’u tërhequr nga OBSH-ja.