Shkup, 26 janar – Teatri Shqiptar i Shkupit në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan shfaqi shfaqjen “G” me tekst të At Gjergj Fishtës ndërsa me regji të Sulejman Rushitit.
Në shfaqje rolet i luajtën aktorët Adem Karaga, Vjollca Bekteshi – Hamiti, Aida Elezi, Blerim Dardhishta, Dritëro Ame, Genci Mirzo.
Ndonëse Gjergj Fishta kishte shkruar e vepruar afër një shekull më parë, kjo shfaqje përkon edhe me realitetin e sotëm, ngase në të mund të shohësh edhe të gjitha të metat e qeverisjes së sotme dhe fenomene të ndryshme negative në shoqërinë shqiptare. Tema e kësaj shfaqje është shumë aktuale, kurse trupa teatrore është përgëzuar për paraqitjen.
Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan që filloi më 22 janar e që do të zgjasë deri më 26 janar, u hap me shfaqjen e teatrit vendas “Një natë në hotel”, me tekst të Muharrem Shahiqit, dhe regji të Bashkim Ramadanit.
Në mbrëmjen e dytë u shfaq shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.
Shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi e solli regjisori Milto Kutali.
Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet sonte me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj e regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.
Festivalin sonte do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaros.