Vedat Muriqi ka përfunduar në objektivin e merkatos të disa klubeve prestigjioze teksa paraqitjet e tij me fanellën e Fenerbahçes por edhe atë të Kosovës, nuk i kanë shpëtuar syrit të agjentëve. Sulmuesi e ka nisur me gola sezonin, ndërsa është shndërruar në lojtarin kryesor në ofensivën e skuadrës turke. Kështu, 25-vjeçari ka fituar interesin e klubeve nga Italia por edhe në Angli ka shumë fansa të tij.
Muajin e kaluar u përfol se ishte ekipi i Mançester Junajtid, i cili do të dërgonte skaut për të parë nga afër Muriqin. Ndërsa, nga Italia ka qenë prezent interesimi nga Lacio apo Fiorentina. Megjithatë, lajmet e fundit flasin për një interesim të një tjetër klubi nga Premier League.
Bëhet fjalë për Bornemuth. Ekipi mund të humbasë sulmuesin kryesor, i cili është në shënjestrën e Junajtid dhe në këtë formë zëvendësuesi perfekt për britanikët duket se është Muriqi. Mbetet për t’u parë pasi merkato do ende disa muaj të hapet, megjithatë e sigurt është se emri i Muriqi do të jetë nga më të lakuarit.