Një ditë, perandori i Francës, Napoleon Bonaparta, Bertje dhe Massena shkuan së bashku për gjah. Të dy këta të fundit, me armët gati, ecnin disa hapa përpara perandorit. Kur u ngrit një tufë thëllëza, perandori, të cilit i përkiste nderi të qëllonte i pari, mori shenjë dhe qëlloi… Një saçmë ra në syrin e mareshalit Massena. Menjëherë arriti ndihma dhe syri i mareshalit shpëtoi nga rreziku. Napoleoni për të shfajësuar veten ia hodhi fajin Bertjesë për atë që ndodhi. Bertje u mundua të mbrohej me të gjitha mënyrat, por meqenëse perandori nguli këmbë, ai ishte i detyruar të heshtte. Ku u kthyen, Napoleoni, që e dinte mirë si rrodhën punët në të vërtetë, thirri kirurgun e shquar Larey dhe urdhëroi ta kuronte Massenë dhe t’i jepte në dorë një letër nga ana e tij. Ajo letër e njoftonte për emërimin e ri, komandant të ushtrisë në Portugali, që shoqërohej edhe me një dhuratë të çmuar.
– Çfarë dreq njeriu që është ky! – thirri Massena duke qeshur, – do gjithnjë të të hedhë pluhur, …ose saçma …syve.