Kur Kakha Kaladze organizoi ndeshjen e bamirësisë në Tbilisi, yjet e Milanit ishin të parët që mbështetën gjeorgjianin. Ndër ish-yjet kuqezi në fushë atë mbrëmje ishte edhe Andrey Shevchenko, i cili pas ndeshjes, përveç se për sfidën, foli edhe në lidhje me kandidaturën e Kaladzes për detyrën e kryetarittë Bashkisë së Tbilisit.
Në fjalën e tij, ukrainasi, pasi analizoi situatën e Milanit, foli edhe për objektivin politik të ish-shokut të tij në aventurën milaneze duke thënë: “Sa herë takoj Kaladzen jam i lumtur, sidomos kur vizitoj Tbilisin. Përfitoj nga rasti t’i uroj fat mikut tim, jam i bindur që do të jetë në lartësinë e duhur për postin e kryetarit të bashkisë”, shkruan Albeu.com.
Këto fjalë nuk u pritën mirë nga rivalët e Kaladzes e sidomos nga Shoqata e Avokatëve të rinj gjeorgjianë, të cilit i janë drejtuar Komisioni Elektoral qendror duke paraqitur një ankesë sipas të cilës: Andrey Shevchenko në rolin e trajnerit të kombëtares ukrainase, gjatë një ndeshjeje bamirësie shkeli kodin elektoral gjeorgjian, sipas të cilit çdo shtetas i huaj e ka ligjërisht të ndaluar të marrë pjesë në një fushatë ose të lëshojë mesazhe në mbështetje të një kandidati për post politiknë Republikën e Gjeorgjisë.
Për ish-yllin e Milanit pritet një gjobë deri në 680 euro. Në lidhje me këtë temë, gjatë një interviste, Shevchenko ka qartësuar se nuk ka qenë në dijeni të kësaj ndalese ligjore dhe se fjalët e tij kanë qenë një urim për një mik dhe aspak një nxitje për votë ndaj shtetasve të kryeqytetit Tbilisi.