Valentina Shevchenko është gati për duelin e së shtunës ndaj kampiones së botës Amanda Nunes, sfidë e vlefshme për UFC-215 dhe që do të përcaktojë kampionen e botës në peshën pupël. Kjo përballje duhej të ishte zhvilluar dy muaj më parë, në UFC-213, por sportistja braziliane u tërhoq për arsye shëndetësore pak orë para duelit, që në fakt është një revansh. Nunes e ka fituar një përballje mes dy sportisteve 18 muaj më parë, me vendim unanim të gjyqtarëve, ndaj për Shevchenko ky është momenti i duhur për hakmarrje. “Nunes më shpëtoi një herë, dy muaj më parë, por këtë herë nuk do ta fal. Unë jam gati për këtë sfidë”, u shpreh Valentina Shevchenko.
Më tej, sportistja 29-vjeçare me origjinë ruse, por që garon për Perunë, shprehet se është në formë, duke menduar për të ardhmen dhe jo të shkuarën. “Ndihem në formë të shkëlqyer, njësoj si dy muaj më parë. kam kaq kohë që e pres këtë ditë. Do të jetë një sfidë e fortë, e shkëlqyer nga të dyja sportistet dhe do të jap maksimumin në kafaz. Jam fokusuar fort te vetja, te fitorja dhe e di që ky është një shans i artë për t’u bërë numri 1 në botë“, tha Shevchenko, që vjen pas dy fitoreve. Kjo përballje mes tyre do të zhvillohet në Toronto të Kanadasë dhe është eventi kryesor i mbrëmjes së arteve marciale mikse, ku do të jepet edhe titulli kampion bote.