Shkup, 10 qershor – Hekurudhat e Maqedonisë SHA Transport Shkup ka organizuar tura udhëtimi për 1.300 fëmijë nga 12 shkolla dhe tre kopshte në Shkup, si pjesë e projektit “E ardhmja jonë është në tren”, që e zbatoi nga data 9 maj deri në fund të vitit shkollor.
Në rrjedhë të projektit nxënësit e klasës së parë deri në klasën e pestë të shkollave fillore nga disa pjesë të komunave të Shkupit, rurale dhe urbane, udhëtuan në relacionin Shkup-Veles dhe prapa, me çmim prej 114 denarë.
“Qëllimi ishte edukim i komunikacionit dhe fitimi i kulturës gjatë vozitjes me tren, por njëkohësisht edhe tërheqja e udhëtarëve të ardhshëm”, deklaroi për MIA-n Sasha Jovanovski, drejtor i Sektorit për komunikacion udhëtues në HM Transport sha Shkup.
Siç thotë Jovanovski, për projektin “E ardhmja jonë është në tren”, kanë plane afatgjate edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të inicojnë të bëhet i obligueshëm në programin për komunikacion. Tani në programin e shkollave fillore tema e komunikacionit është parashikuar të zbatohet në muajin maj, ndërsa në iniciativë të personelit mësimdhënës ka pasur një deri në tre udhëtime të fëmijëve me tren.
Tani për tani kapacitetet e parkut vozitës lejojnë tura udhëtimi për nxënësit në Shkup. Përderisa krijohen kushte dhe rritet parku vozitës, planifikohet të përfshihen edhe fëmijët e pjesëve tjera të shtetit.
HM Transport SHA Shkup kohë më parë ka promovuar edhe një projekt për fëmijët “Këndi i lojërave në tren”. Me të mundësohet organizimi i ditëlindjeve për fëmijët në tren me ç’rast paguhet për marrje të një pjese të garniturës dhe bileta për udhëtarët.