Një sherr masiv ka ndodhur ditën e diel në një ndeshje regbie, e vlefshme për kampionatin amator francez, ku lojtarët e të dyja skuadrave u përleshën me grushte e shkelma në fushë për disa minuta. Të gjithë lojtarët që ishin në fushë u përfshinë në sherr, madje kur përplasja fizike iu afrua zonës së fansave edhe disa prej tyre nisën të gjuanin sportistët e ekipit mik. Një skenë vërtet e shëmtuar, që nuk pushoi për disa minuta dhe kaosi u bë protagonist i këtij takimi, që përfshiu edhe fansat.
Të përfshirë në këtë skandal ishin lojtarët e Dedarrides dhe Stade Nicois, që militojnë në kategorinë e katërt franceze dhe që të dyja po luanin për t’u kualifikuar një kategori më lart sezonin tjetër. Ndaj dhe tensioni në fushë ka qenë i lartë, pasi fituesi kualifikohej më tej. Mjaftoi një shkëndijë që në fushë të niste një sherr masiv dhe për gjyqtarët ishte e pamundur që të ndanin lojtarët e të dyja skuadrave. Madje sherri ishte në disa zona dhe ishte e vështirë të ndaje sportistët.