Një ngjarje kriminale është parandaluar pasditen e sotme në Tiranë, pasi dy persona fillimisht janë përleshur me grushta dhe më pas situata ka agravuar deri në atë masë sa njëri nga personat, ka marrë makinën dhe ka sulmuar me mjet, makinën e personit tjetër
Situata e nxehtë, është zgjidhur falë një agjenti policie, që është ndodhur krejt rastësisht në vendngjarje. Në pamjet filmike, efektivi i policisë ka parë të gjithë situatën, përplasjen fizike dhe më pas përplasjen e dy automjeteve, ku personi me bluzë të kuqe në mënyrë të vazhdueshme ka dashur ta godasë makinën e personit tjetër.
Pikërisht ky është momenti kur punonjësi i policisë i veshur civil, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka ndërhyrë menjëherë me qëllim neutralizimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i policisë ka kërkuar që ta ulë në tokë, por personi me bluzë të kuqe nuk i është bindur, derisa në vendngjarje kanë shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët kanë arritur t’i vendosin prangat.