Prishtinë, 26 mars – Në Laboratorin për Mikrobiologji Molekulare të Institutit për Shëndet Publik të Kosovës sot janë testuar 89 persona, prej të cilëve te tetë persona është zbuluar prania e virusit Kovid-19, ashtu që numri zyrtar i bartësve të koronavirusit të ri tani është 79.
Në të njëjtën kohë, siç publikoi ministri i Shëndetësisë së Kosovës Arben Vitia, njëri nga pacientët i cili është diagnostikuar me koronavirus, pas kontrolleve përkatëse rezulton i shëruar nga sëmundja infektive.
“Më në fund e kemi lajmin e mirë. Njëri nga pacientët edhe pas testimit të dytë ka dalë negativ. Sipas rekomandimeve të OBSH kur kemi dy mostra negative të një personi me një ditë distancë kohore, tregojnë shërimin nga Kovid-19. Zyrtarisht kemi personin e parë të shëruar nga Kovid-19 në Republikën e Kosovës”, publikoi Vitia në Fejsbuk.
Nga 8 shkurti, në përfundim me ditën e sotme, janë testuar gjithsej 855 mostra të personave për të cilët ka ekzistuar dyshim se janë të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 79 rezultuan me pozitiv, derisa një person, një burrë i i moshës 82-vjeçare, ka vdekur, theksohet në kumtesën e IKSHPK-së.