SHËRBIMET BANKARE ONLINE. Përdorues, mbi 8 për qind e popullatës

Zejnulla VESELI

Shkup, 12 shkurt Prej vitit 2009 kur bankat komerciale në Maqedoni filluan të aplikojnë shërbimin e-bankar, përfundimisht me vitin 2017 shërbimet bankiere online shënojnë rritje kështu që vitin e kaluar mbi 8 për qind e personave fizik dhe juridik kanë përdor internetin duke bërë kryerje të pagesave të faturave të ndryshme nga kompjuteri në zyrat apo ambiente shtëpiake. Të dhënat e fundit të EUROSTAT-it tregojnë se shërbimi internet bankiere viteve të fundit në Maqedoni bëhet më i popullarizuara në veçanti nga gjeneratat e reja si dhe nga popullata e arsimuar, shkruan gazeta KOHA.
INTERNETI BANKAR MË I PËRDORUR NGA POPULLATA E ARSIMUAR

“Qytetarët të moshës prej 25 vjet e deri më 34 vjet gjegjësisht 68 për qind e këtyre njerëzve i shfrytëzojnë shërbimet e internetit që ofrojnë pothuajse të gjitha bankat komerciale në Maqedoni. Derisa 24 për qind e qytetarëve që janë me arsim të ulët shfrytëzojnë shërbimet bankare përmes internetit ndërsa në anën tjetër 77 për qind e njerëzve që kanë arsim të lartë të gjitha pagesat bankare i bëjnë përmes shërbimeve onlinen që ofrojnë bankat për klientët e tyre . Kjo tregon qartë se përdorimi i të gjitha shërbimeve internet bankare online nga ana e të rinjve dhe popullatës së arsimuar në Maqedoni gjithnjë e më tepër po rritet”, thuhet në raportin e fundit të EUROSTAT-it.
Se shërbimet bankare përmes internetit nga ana e qytetarëve të Maqedonisë po rritet këtë e vërtetojnë edhe bankat komerciale prezent në tregun e Maqedonisë. “Një numër më i madh i qytetarëve të Maqedonisë po përdorin internetit si mënyrë më e lehtë dhe më efikase për kryerjen e pagesave të ndryshme. Sigurisht se pagesat e faturave komunale apo kësteve të kredive nga ana e qytetarëve paraqet një përparësi që do të thotë pagesa në kohë dhe shpejtë pa pasur nevojë të presësh në radhë me orë të tëra para sporteleve të bankave. Ajo që nevojitet është të keni një llogari transakcionale në bankën përkatëse, kompjuter dhe lidhje të fortë interneti. Aq më shumë kur dihet se përdorimi i shërbimeve të interneti që ofrojnë bankat online janë më të lira sepse në vend që të paguash provizion më të lartë bankës për pagesë të një fature në sportele, nga shtëpia pagesat e faturave apo kësteve të kredive janë falas pa asnjë denarë provizion ndaj bankës ku ju keni llogari transakcionale”, thonë nga “Stopanska banka”, Shkup.

 

BANKAT NË MAQEDONI PO NDJEKIN TRENDËT BOTËRORE

Njëherit nga NLB ‘Tutunska banka”, shpjegojnë se rritja e përdorimit të shërbimeve të internetit bankar online tregon se tani më qytetarët po praktikojnë mënyrën më të lehtë dhe më të shpejtë se si t’i paguajnë faturat e tyre apo pagesat tjera bankare pa pasur nevojë të presin me orë të gjata para sporteleve bankare për të kryer pagesa të ndryshme.
“Pothuajse të gjitha bankat në Maqedoni po ndjekin trendët botërore dhe ofrojnë shërbime bankare elektronike gjegjësisht mundësi që të gjitha pagesat transakcionale të faturave të ndryshme të bëhen përmes shërbimit bankar online. Mirëpo prapë se prapë ky shërbim shumë pak shfrytëzohet nga personat juridik dhe fizik edhe pse ka hapësirë që këto shërbime t’i përdorin një numër i madh i qytetarëve në Maqedoni”, thonë nga NLB “Tutunska banka”, Shkup. Njëherit nga Shoqata e Bankiereve në Maqedoni thonë se në vazhdimësi po rritet përdorimin e shërbimeve bankiere përmes internetit nga ana e qytetarëve.
“Të dhënat e fundit të bankave tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve po shfrytëzojnë shërbimet bankare përmes internetit kryesisht për të kontrolluar gjendjen financiare në llogarinë transakcionale si dhe kryerjen pagesa të gjitha faturave komunale përmes llogarisë së tyre transakcioanle. Në anën tjerë edhe peronat fizik gjegjësisht kompanitë e përdorin shërbimin bankar onlajn për të kryer të pagesat ndërkombëtare”, thonë nga Shoqata e Bankierëve të Maqedonisë.

 

NË NIVEL EVROPIAN, AKOMA MBRAPA

Edhe përkundër rritjes së përdorimit të shërbimit bankier përmes internetit, Maqedonia mbetet shumë prapa vendeve të Evropës Sipas EUROSTAT-it në nivel evropian mbi 50 për qind e qytetarëve përdorin shërbimet bankare përmes internetit. Nga vendet e BE-së në Danimarkë 90 për qind e popullatës të moshës prej 16 vjet deri me 74 vjet të gjitha pagesat i bëjnë përmes internetit, në Holandë 89 për qind e popullatës përdorin shërbimet online të bankave, në Finlandë 87 për qind dhe në Suedi 86 për qind. Ndërsa më pak që përdorin shërbimet bankare përmes internetit janë qytetarët në Bullgari me 5 për qind, Romani me 7 për qind ndërsa në Greqi 25 për qind e popullatës shfrytëzojnë shërbimet bankare të internetit. Ndërkaq nga vendet e ish Jugosllavisë 39 për qind e popullatës në Slloveni përdorin shërbimin bankar të pagesave përmes internetit, Kroaci 33 për qind dhe Serbi 16 për qind e popullatës. (koha.mk)