Shkup, 29 qershor – Nëse nuk krijojmë sistem cilësor këshillëdhënës në bujqësi, të japim dorëheqje dhe të shkojmë në shtëpi, theksoi sot ministri resor Lupço Nikollovski në debatin publik që e organizon Fakulteti për Shkenca Bujqësore dhe Ushqim (FSHBU).
Nikollovski tha se është i tmerruar nga ajo që në Maqedoni vetëm një institucion siguron shërbime këshillëdhënëse për bujqit, ndërsa kapacitetet në këtë segment janë minimale përkundër nevojës reale.
“Nga cilësia e mbështetjes këshillëdhënëse dhe suksesit të reformave të parapara. Për momentin, shërbime këshillëdhënëse siguron vetëm Agjencia për Nxitje të Zhvillimit të Bujqësisë. Jo më shumë se 700 ekonomi bujqësore janë mbuluar me këto shërbime që nuk korrespondon me numrin e shfrytëzuesve të mbështetjes shtetërore dhe të evidentuarit 30 deri 40 mijë ekonomi bujqësore të cilat kanë kapacitet më serioz zhvillimor”, nënvizoi ministri.
Sipas tij, duhet të vendoset punë e fuqishme e përditshme në terren me bujqit, ata t’i marrin informatat e nevojshme, t’i dëgjojnë dhe t’i kuptojnë politikat, të edukohen.
“Shërbime cilësore dhe në kohë janë të domosdoshme për bujqësi bashkëkohore, konkurrente. Maqedonisë tani kjo më së shumti i nevojitet sepse fillon ta kalojë rrugën drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Nikollovski, duke shtuar se gjatë 12 muajve të kaluar një nga prioritetet e tij kyçe ka qenë pikërisht krijimi i një ligji për sistem këshillëdhënës në bujqësi.
Edhe Eduard Gonzalez nga Zyra e USAID-it porositi se cilësia e shërbimeve këshillëdhënëse është proporcional me suksesin e reformave për bujqësi bashkëkohore.
“Fermerët duhet të dinë se si më mirë t’i plasojnë prodhimet e tyre, por ata janë shumë të zënë me detyrat e tyre të përditshme, nuk kanë kohë të lexojnë gazeta, e as të ndjekin internet. Për këtë arsye është i nevojitet një rrjet i fuqishëm i këshilltarëve bujqësor të cilët do t’i informojnë për të gjithë ndodhitë, teknologjitë dhe trendet më të reja, si dhe për atë se si në mënyrën më të mirë t’i sjellin prodhimet e tyre në treg”, tha Gonzalez.
Në debatin publik që e organizon FSHBU morën pjesë drejtorë të institucioneve dhe agjencive shtetërore, përfaqësues të shoqatave bujqësore dhe të odave ekonomike. Para tyre foli edhe dekani i Fakultetit Vjekosllav Tanaskoviq duke vërejtur se bujqësisë së sotme i nevojiten dituri multidisiplinare dhe aftësi të cilat përmes shërbimeve cilësore këshillëdhënëse do të afrohet deri te hallka primare – prodhuesit.
Siç u tha, para fillimit të debatit, në Maqedoni vitin e kaluar janë regjistruar mbi 170.000 ekonomi bujqësore, nga të cilat 99,8 për qind janë ferma familjare, ndërsa 50 për qind e tyre shfrytëzojnë më pak se tre hektarë sipërfaqe bujqësore. Kjo situatë është ngarkuar në mënyrë plotësuese me ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe akteve nënligjore.
Propozim-ligji për sistem këshillëdhënës në bujqësi është përgatitur dhe me ngjarjen e sotme në mënyrë praktike është vendosur në debat publik në të cilin mund të inkuadrohen të gjithë palët relevante.
Ministri Nikollovski paralajmëroi se pas përfundimit të debateve, Propozimi do të vendoset në procedurë qeveritare pas çka edhe me siguri do të miratohet vitin e ardhshëm.